Napoli, sulm masiv në merkato

18/12/2010 14:00

Napoli është i vendosur që të përforcohet sa më shumë gjatë merkatos së
janarit dhe pas konfirmimit të Fernandez, në shenjëstër janë vendosur
edhe Criscito e Britos, ndër të tjerë.

Lajmi u konfirmua nga mediat italiane gjatë drekës së sotme. Presidenti De Laurentis, me skuadrën në vendin e dytë të renditjes dhe në raundin e dytë të Europa League, është i vendosur që të fitojë pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.

I pari që shndërrohet në napolitan është Federico Fernandez. Një marrëveshje është gjetur me argjentinasin, por ajo do të hyjë në fuqi vetëm verën e ardhshme.

Ndërkohë, mendohet edhe për të ardhmen. Pas pëlqimit të shprehur nga trajneri Mazzarri për mbrojtësin Britos të Bologna-s, klubi ka nisur menjëherë bisedimet dhe pritet të përfundojë gjithçka brenda pak kohe, pasi edhe dëshira e uruguajanasit ekziston.

Nëse tratativa për ndonjë arsye nuk do të jetë e mundur të përfundohet, atëherë vëmendja do të zhvendoset tek 23-vjeçari Ogbonna, i cili aktualisht mbron fanellën e Torinos.

Me sulmin që është treguar vdekjeprurës gjatë sezonit të deritanishëm, vëmendja përqendrohet tek përforcimi i mbrotjes dhe ideali për të luajtur në krahun e majtë është Domenico Criscito, 24-vjeçari i Genoa-s dhe kombëtares.

Interi gjithashtu është i interesuar, por Napoli mund të përfitojë nga marrëdhëniet shumë të mira me klubin gjenovez. Midis tyre mund të realizohet gjithashtu një ndërrim midis lojtarëve Houssine Kharja dhe Manuele Blasi.

Sikur të mos mjaftonin vetëm këto emra, planet për të ndërtuar një mesfushë të madhe janë gjithashtu në funksionim. Blerim Dzemaili, austriak me origjinë kosovare, aktualisht tek Parma, mund të kalojë shumë shpejt tek “partenopei”.

Për Inler, yllin e Udinese-s, gjithashtu mund të paraqitet një ofertë, edhe pse mbetet është e qartë që në këtë rast, bisedimet nuk do të jenë aspak të lehta.

Top Channel