Akuzat e Dick Marty, Minxhozi: Një trillim

17/12/2010 20:05

Deputeti Qemal Minxhozi, i zgjedhur për dy legjislatura në zonën e Matit, ku pretendohet se kanë ndodhur një pjesë e “krimeve” të supozuara në raportin e Dick Marty, deklaroi në TCH se gjithçka është një trillim.

“Aty nuk ka ndodhur asgjë përveçse një trillimi të bërë nga Del Ponte dhe e vazhduar nga bashkëpatrioti i saj Dick Marty. Thëniet e zonjës Del Ponte janë një trillim. Është e pamundur që të gjendet një person që të dëshmojë në lidhje me këtë çështje. Disa herë banorët e zonës kanë demonstruar kundër kësaj shpifjeje monstruoze. Nuk ka ndodhur asnjë veçse janë zhvendosur ngjarje nga koka e Del Pontes në Burrel”, është shprehur Minxhozi.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet në raport ku thuhet se ka dëshmitarë që kanë frikë të flasin, por ka edhe dëshmitarë që janë vrarë për këtë çështje.

“Në mënyrë absolute atje është vetëm një shtëpi dhe banorët e asaj shtëpie banojnë atje prej më shumë se 100 vjetësh. Këto thënie të Del Pontes atyre banorëve u kanë ngjallur një zëmërim të madh”, theksoi Minxhozi.

Top Channel