
Është formati që zhvillohet në më shumë se 30 vende të botës, në pjesën më të madhe me titull të njëjtë, por duke ruajtur sigurisht emrin e çdo shteti që i bashkohet komunitetit të madh të atyre që realizojnë “Got Talent” në vendin e tyre.
Sidoqoftë, ky format i suksesshëm njeh edhe versione me emra të ndryshëm të të njëjtit spektakël. Polonia e quan “Mam Talent”, Gjermania “Das superstar”, Rusia “A Minute of Fame”, ndersa Shqipëria ju bashkua patentës me emrin “Albanians got Talent” “Shqiptarët kane talent”, si një evolucion progresiv i spektaklit “Ti vlen”.
Por çfarë është “Got Talent”? Bëhet fjalë për një format televiziv britanik konceptuar dhe nën ekskluzivitetin e kompanisë SYCO të Sajmën Kauell, i njohur në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara për rolin e tij si gjyqtar i talenteve në Televizion në “Pop Idol”, “ X Faktor”, “Britain’s Got Talent” dhe “American Idol”.
Por, shfaqja e parë pilot që u organizua në Britani, nga komediani Paul O’Grady, njihet si shpikje britanike e rrjetit ITV. Pas mosmarrëveshjeve që O’Grady pati me rrjetin në fjalë, seritë u shtynë, kështu që transmetimi i plotë i formatit u realizua në Amerikë me emrin “America`s got talent” në qershor të 2006, prodhim ky që u ndoq nëpërmjet kanalit NBC. Në Amerikë numëron 5 sezone, më shumë nga çdo vend tjetër. Si fituese e parë e këtij formati në tokën përtej oqeanit njihet 11-vjeçarja Bianca Ryan që fitoi shumën prej 100 mijë dollarësh.
Më pas formati u ble nga dhjetra vende të botës, në atë që tani njihet si “Got Talent”, i ngjashëm me një tjetër format të “FremantleMedia”, “Idol”.
Realizimi i këtij formati bazohet në rregulla strikte, të cilave ju është nënshtruar edhe formati shqiptar. Audicionet bëhen para një jurie, ndryshe nga “X Factor” juria ka të drejtë të hedhë poshtë performancën duke shtypur butonin, në serinë e dritave të mëdha e të kuqe të skenës të shënuar me X . Nëse anëtarët e jurisë e shtypin menjëherë butonin e tyre, performanca merr fund. Votimi bazohet në tre gjykime, me përjashtim vetëm të një audicioni që është bërë në Mançester ku në sezonin e tretë, ishin të nevojshme 3 vota pozitive, sepse paneli i jurisë përbëhej nga katër gjyqtarë.
I njohur por edhe i kritikuar nga psikologët për peshën e madhe të përgjegjësisë që ky spektakël u jep amatorëve që dalin në skenë për herë të parë në jetë, Got Talent gjithsesi po vazhdon të ofrojë performanca që tërheqin kërshërinë e teleshikuesit në shumë vende.
Prej tetorit shumë prej talenteve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve ju drejtuan formatit në fjalë të inspiruar nga sllogani “Ti vlen, aty ku ëndrra e njerëzve u bë realitet”. Pa kufij moshe, shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora u përfshinë në audicione në disiplina të ndryshme: kërcim, pantomime, Beat Box, imitim, këngë dhe muzikë, duke na kujtuar se “shqiptarët janë të talentuar” dhe “skena mund të jetë e gjithsecilit”.
Nga seria e gjatë e fazës së parë kualifikuese, në tre gjysmëfinalet u prezantuan gati 33 talente, nga të cilët u seleksionuan 9 prej tyre, televotuesit nga Shqipëria, Kosova zgjodhën 4 favoritët, 2 prej të cileve shkuan automatikisht në finale, ndërsa për të tretin dhe të katërtin vendosi juria. Gjon Muharremaj , All stars, Drilon Hoxha me imitim, Edona Vatoci, Orget Sadiku, Fiqil Luli dhe Sabina Troshku, Florian Nazifi, Besarta dhe Hana Kabashi e Albano Ferraj janë ata që do të provojnë emocionin e natës finale për t`ju bashkuar talenteve të tilla në botë.
Top Channel