TIFF, hapet edicioni i tetë

13/12/2010 20:55

TIFF ka nisur edicionin e tij të tetë, kësaj radhe me një poster zyrtar, që përfaqëson hapjen e kinemasë vendase ndaj asaj botërore, por edhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në Europë.

“TIFF-i në një farë mënyrë e kreu funksionin e tij. Për sa kohë shërbente si një lidhës dhe si një pasaportë për kineastët shqiptarë, besojmë që e kreu. Tani një pasaportë tjetër ka hyrë në lojë dhe ne kemi të gjithë të drejtën që ta respektojmë e vlerësojmë”, është shprehur Ilir Butka, drejtor i TIFF.

Në konkurrim janë 71 filma të shkurtër, 11 filma me metrazh të gjatë. Mes tyre nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia etj.

Projeksione speciale: 11 filma shqiptarë me metrazh të shkurtër të Akadamisë së Arteve dhe 5 të huaj me metrazh të gjatë.

Homazhet këtë vit shkojnë për tre personazhe të njohura të kinematografisë, që u ndanë nga jeta pak kohë më parë: Bekim Fehmiun, Llazi Serbon dhe Claude Chabrol.

Regjisorit francez, i njohur si një nga emrat më në zë të “Nouvelle Vague”, apo “Valës së re”, iu dedikua edhe çelja e këtij edicioni. Ai u hap me filmin me metrazh të shkurtër: “Ti duhet të merresh me kinema”, ku interpreton vetë Chabrol.

“Për ne ai ishte një ikonë. Ishte një ëndërr fëmijërie të kishe Chabrol që luante vetëveten në një film. Sapo i propozuam rolin, ai e pranoi menjëherë”, theksoi producenti Jean Philippe Laroche.

TIFF do të vazhdojë deri me 18 dhjetor, ditë kur do të ndahen edhe çmimet.

Top Channel