Wikileaks publikon “sekretet” e Vatikanit

11/12/2010 02:30

Vatikani ndaloi përfaqësuesit e tij që të dëshmonin para komisionit të ngritur në Irlandë për akuzat e abuzimeve seksuale, akuza këto të adresuara ndaj disa eksponentëve të klerit katolik në vendin ishullor.

Kjo sipas The Guardian raportohet në një kabllogram të Wikileaks, mes diplomatëve amerikanë dhe atyre irlandezë ku përmendet Selia e Shenjtë. The Guardian ka publikuar gjithashtu edhe disa letërkëmbime sekrete mes diplomatëve amerikanë në Vatikan dhe Departamentit të Shtetit në Uashington.

“Ambasadori britanik në Selinë e Shenjtë ka shprehur shqetësimin se qasja e Benediktit të XVI ndaj Kishës Anglikane dhe ftesa e tij për të gjithë anglikanët për t’u rikthyer tek katolicizmi është një deklaratë provokuese e cila mund të ngjallë diskriminim dhe dhunë ndaj katolikëve në Britaninë e Madhe”, thuhet sipas The Guardian, në një raport të diplomatëve amerikanë pranë Selisë së Shenjtë.

Ndërkohë në një letër konfidenciale të gushtit të 2009-s, nga një diplomat amerikan drejtuar presidentit Obama shkruhet se ndërhyrja e Atit të Shenjtë ndihmoi në lirimin e 15 marinarëve britanikë të kapur nga Irani.

Gazeta britanike shkruan edhe për skepticizmin e Vatikanit për anëtarësimin e Turqisë në BE.

“Kardinali Josef Ratzinger mbetet skeptik për anëtarësimin e Turqisë në BE, duke u diferencuar nga pozicioni asnjëanës që Selia e Shenjtë mban zyrtarisht për këtë çështje”, thuhet në një tjetër dokument të Wikileaks të publikuar nga The Guardian.

Por në lidhje me këto raporte sekrete, dhe me disa të tjera, të publikuara më parë nga gazeta spanjolle, El Pais, ka reaguar edhe Vatikani.

Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, At Federiko Lombardi tha për mediat italiane se dokumentet e publikuara janë perceptime dhe opinione të personave që i kanë shkruajtur ato, dhe asesi nuk mund të konsiderohen si reflektim i qendrimeve të Vatikanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA