Oreksi vjen duke ngrënë, thotë një shprehje e vjetër, ndërsa oreksi për pushtet shtohet kur e provon. Presidenti i Rusisë Dmitri Medvedev duket se po mendon për një mandat të dytë në krye të shtetit rus.
Nuk jane të paktë ata që e shohin Medvedevin si aktorin dytësor në skenën politike të vendit. Një nga kabllogramat diplomatike amerikane madje e cilësonte si njeriun që interpreton Robinin në filmin ku Batmani është Vladimir Putin.
Ky i fundit pret rastin më të parë për t’u rikthyer sërish në Kremlin, e kjo mundësi janë zgjedhjet e 2012-s. Por një ndihmës i ngushtë i presidentit, Arkadi Dvorkoviç, ka dhënë sinjalin më të qartë deri tani që tregon se Medvedev synon ta mbajë postin e vet.
Nuk ka ende ndonjë vendim përfundimtar, por këshilltari ekonomik i Medvedevit shprehet i bindur se ai do të kandidojë sërish, përndryshe nuk kishte pse punonte aq seriozisht për gjithë iniciativat që ka njoftuar.
Çdo president që mendon se vitin tjetër do pushojë së qëni i tillë, do të sillej ndryshe, ka thënë Dvorkoviç. Megjithatë dëshira për një mandat të dytë dhe marrja e tij janë dy gjëra të ndryshme, dhe Medvedevit për të qendruar në Kremlin do t’i duhet më parë të bindë Putinin se kjo është një ide e mirë.
Top Channel