Selami: Në 20 vjet s’është bërë sa duhet

09/12/2010 21:55

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami ka deklaruar se Shqipëria sot është një vend demokratik, por jo i konsoliduar.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Selami është shprehur skeptik se pavarësisht disa arritjeve, nuk është bërë sa duhet për zhvillimin e vendit.

“Shqipëria po ecën nëpër një rrugë. Janë 20 vjet që Shqipëria ka një sistem demokratik. A është bërë maksimumi? Jo, ka vend për më shumë. Duhet të kthehemi dhe të lidhemi me idealizmin e atëhershëm, për një Shqipëri demokratike”, ka pohuar Selami.

Sipas tij, demokracia në vendin tonë duhet të kishte ecur me hapa më të shpejtë dhe jo me ritmin e ngadaltë që e ka karakterizuar në këto 20 vjet.

“Demokracia në vetëvete është një proces, ajo ecën përpara. Edhe në vendet e zhvilluara ajo ecën përpara. Por 20 vjet janë shumë dhe ka pasur vend për krijimin e strukturave të duhura”, ka nënvizuar Selami, i cili ka dhënë edhe motivet e kësaj situate problematike.

“Cfarë nuk shkon? Ende nuk ka zgjedhje të pakontestuara nga partitë, ende nuk ka një shtet ligjor funksional. Sot partia më e madhe në Shqipëri është ajo e njerëzve të zhgënjyer që nuk shkojnë të votojnë”, ka shtuar ai.

Duke komentuar situatën aktuale politike, ish-kryetari i PD ka vlerësuar se roli i opozitës është thelbësor në një demokraci funksionale. Megjithatë, sipas tij, edhe opozita nuk duhet të politizojë gjithcka që ndodh dhe të kalojë në qendrime ekstreme.

“Nuk ka demokraci normale pa një opozitë. Nuk duhet parë prania e saj si një bezdi në Parlament. Por opozita nuk duhet të ketë këtë rol që ka sot. Si për shembull rasti i përmbytjeve, nuk është momenti për të bërë politikë. Për këtë ka kohë boll. Opozita ka të drejtat e saj, por s’duhet të kalojë në masa ekstreme. Zgjedhjet e fundit u cilësuan si më të mirat nga ndërkombëtarët. C’ishte ky ekstremizëm? Nuk u shërbeu shqiptarëve. Kjo situatë duhet të kapërcehet”, ka shtuar Selami. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA