Përmbytjet, qeveria kërkon ndihmë

09/12/2010 19:50

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu i kërkoi përfaqësuesve të Komisionit Europian të shqyrtojnë mundësinë e rialokimit të fondeve që BE i jep Shqipërisë, për të përdorur një pjesë të tyre në zonat e përmbytura.

“Për shkak të situatës emergjente të krijuar në zonën veriore të Shqipërisë dhe vecanërisht në Shkodër, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Komisionin. Ndoshta do të mund të diskutonim nëse mund të gjejmë mundësi të tjera për para nga programi IPA, për t’u rialokuar me qëllim që të ndihmojnë për të kaluar këto vështirësi në pjesën veriore të Shqipërsië”, ka deklaruar Bregu.

Ekspertë të lartë të KE kanë mbërritur në Tiranë, në takimin e përvitshëm, ku analizohet ecuria dhe problemet e projekteve që financohen me Fondet e Bashkimit Europian në kuadër të programit IPA.

Marta Gracia Fidalgo, shefja e njësisë për Shqipërinë, e vuri theksin tek përdorimi eficent i tyre.

“Përdorimi i shëndetëshëm i parave publike është shumë i rëndësishëm. Ne duhet t’i provojme Brukselit që Shqipëria ka kapacitete per t’i absorbuar dhe për t’i përdorur me efikasitet fondet tona. Sfidat dhe problemet ne këtë proces nuk kanë të bëjnë vetëm me projektet konkrete. Ato ndikojnë direkt në imazhin e Shqipërisë. Nga mënyra se si ju i përdorni këto para, ju i kontribuoni imazhit të vendit tuaj, pozitivisht apo negativisht. Kjo është e qartë”, ka pohuar Fidalgo.

Shqipëria përfiton nga fondet e Bashkimit Europian për periudhën 2007-2012 rreth 497.4 milionë euro, pjesa dërrmuese e të cilave vijnë në formën e asistencës teknike dhe jo mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare.

Top Channel