Përpos “Qytetit të arteve”, programit dedikuar të rinjve, Akademia e Arteve, Fakulteti i Muzikës ka lançuar “Stinën koncertore 2010-2011”. Gjatë kësaj stine do të zhvillohen 19 koncerte me pjesëmarrës studentë dhe profesorë të Akademisë.
“Rektorati i Akademisë së Arteve si gjithmonë ka mbështetur dhe do të mbështesë çdo nismë e cila në fund të fundit bëhet për një qëllim: kontakt dhe shfaqje e vlerave artistike dhe krijuese të studentëve dhe pedagogëve të këtij institucioni. Programi ‘Qyteti i arteve’ vazhdon të jetë pjesë e Akademisë së Arteve ku Fakulteti i Muzikës ka pjesën e tij të padiskutueshme së bashku me dy fakultetet e tjera dhe ku ne duam që ta kthejmë në një traditë të përhershme”, është shprehur Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve.
Koncertet do të zhvillohen nga data 8 dhjetor-31 janar. Ato janë kryesisht recitale, por edhe muzikë dhome, të tjera me karakter vokal dhe instrumental.
Sipas vetë organizatorëve të “Stinës koncertore”, niveli i performancave artistike të studentëve ka ardhur duke u rritur.
“Në fillim ishte i thjeshtë, t’u krijonim studentëve mundësinë për të dalë në skenë për çka përgatiten, të shkundnim atë lloj letargjie që kishte më përpara jeta muzikore e Akademisë. T’u krijonim mundësinë që të përballeshin me njeri-tjetrin edhe përvojat më të mira të pedagogëve dhe ato të studentëve dhe e fundit t’u krijonim një shpirt gare”, theksoi Sokol Shupo, dekan i Fakultetit të Muzikës.
“Stina koncertore” e Akademise se Arteve është në edicionin e saj të gjashtë. Bashkë me koncertet e kësaj stine, ajo shënon në total 146 të tilla.
Top Channel