Velipojë, të jetosh në ishull

06/12/2010 15:30

Ndërsa të gjithë syte janë drejtuar në Shkodër, ku uji ka përmbytur gjysmën e qytetit, Velipoja, një qyteze me pak më shume se 10 mijë banorë, është kthyer në një ishull.

Shtabi i Emergjencës ka vendosur t’i sjellë një pjesë të ndihmave nga deti.Anija e nisur nga porti i Shëngjinit i ngarkon ndihmat nga baza e ushtarake e Gjadrit, që shërben si magazinë dhe dispeceri. Ndihmat nxirren në breg nga disa varka aq të vogla, sa i kanë shpëtuar moratoriumit të skafeve.

Velipoja ka mbetur një ishull, e rrethuar nga të tëra anët nga uji. Brenda saj makinat mund të lëvizin lirisht, sepse një pjesë e rrugëve kanë mbetur tërësisht të paprekura. Kjo në fakt është meritë e argjinaturave. Psh argjinatura e fshatit Rec i vjetër, ngjitur me kufirin me Malin e Zi, pengon përmbytjet e Bunës. Komuna e Velipojës ka sjelle rërë dhe vetë banorët kanë mbushur thasët. Pushtetarët që vijnë ta inspektojnë, premtojnë vazhdimin e ndihmës nga deti.
 
Lidhja e Velipojës me pjesën tjetër të vendit bëhet detyrimisht me helikopterët e ushtrisë. Pilotët janë të përkushtuar dhe u ka qëlluar që të bëjnë edhe 100 fluturime në një ditë të vetme. Ndërkohë që në kuadër të NATO-s, që nga e shtuna në darkë kanë mbërritur 5 helikopterë, 3 turq dhe 2 grekë, me një kapacitet total transportimi prej 15t në ditë.  

Në Shkodër ndihma shpërndahet me kamionët e ushtrisë. Bashkia kujdeset të dizinfektojë trotuaret dhe ka pajtuar peshkatarë, që me varkat e tyre, kanë për detyrë të lëvizin qytetarët e lagjeve të përmbytura, pa pagesë.

Në orën 17:00, në fund të lagjes Xhabije varkat rrallohen. Thonë se kanë frikë se mos i grabisin.

 

Top Channel