Shpëtimi që vjen nga ajri

04/12/2010 20:10

Shkodra është në ditët e saj më të vështira. Lagje të përmbytura dhe banorët që përpiqen të mbijetojnë në një tjetër realitet.

Situata bëhet akoma me tragjike sapo kalon Kalanë e Rozafës dhe ku panorama nuk ofron asgjë tjetër veç fushave të tëra mbuluar nga uji.

Ushtria me gomone dhe helikopterë është e vetmja mundësi furnizimi me ushqime për banorët e izoluar.

Dajçi, një nga zonat bujqësore me prodhimtare në Shqipëri, tashmë është shndërruar në liqen.

Nga lart nuk ka asnjë shenjë dalluese dhe vetëm piloted mund të thonë se poshtë nesh ndodhen njeri pas tjetrit fshatrat Rrushkull, Petan, Obot e kështu me radhë.

Të bindur se e vetmja zgjidhje për momentin është arratia, shumë njerëz braktisin në heshtje shtëpitë e tyre, me varkat të cilat tashmë janë bërë po aq të nevojshme sa edhe traktorët apo kafshët e punës.

Velipoja është izoluar, e gjendur tashmë mes detit dhe liqenit të krijuar nga përmbytja, atje shkohet vetëm me helikopter.

Gjithçka e mbuluar nga uji dhe diku një tabelë qarkullimi rrugor tregon se këtu nuk është një liqen.

Top Channel