Arben Agolli prej 22 vjetësh jeton pa një të katërtën e trurit.

Ai pësoi një aksident me motor që i paralizoi gjysmën e trupit dhe i dëmtoi qendrën e të folurit, në kulmin e rinisë, 35 vjeç, nënkampion i tenisit, mjek në profesion, i martuar me dy fëmijë.

Aksidenti i ndryshoi me katapult jetën. Siç thotë dhe vetë Arbeni, jeta e tij ishte kthyer në pikën zero: “Kthesa 0, pastaj më vonë e kalova.”

Kjo kthesë e jetës nuk e demoralizoi Arbenin, por i shfaqi pikën e tij më të fortë, vullnetin.

Dashamira, bashkëshortja e tij, mjeke neurologe në profesion, është vërtetimi i postulatit se pas një burri të guximshëm, qëndron një grua e fortë. Por, vlerat ajo ia atribuon Arbenit. Ajo më shumë se të gjithë, si mjeke dhe si bashkëshorte është habitur nga karakteri i të shoqit.

“Dilte çdo ditë dhe ecte nëpër Tiranë. Rrëzohej nëpër gropa dhe ngrihej, vinte ndërrohej dhe pastaj dilte prapë. Më habiste vullneti i tij”, shprehet Dashamira.

Arbeni s’e pranonte jetën e dytë, atë të nënshtrimit ndaj gjendjes së re fizike. Ai ishte vendosur për t’u shëruar. E kishte hedhur pas krahëve aksidentin dhe s’ankohej: “E pat aksidenti, atëherë çfarë duhet? Forcë, forcë, forcë.”

Një forcë që s’ka shteruar ta tregojë për asnjë moment. As kur kërkoi me ngulm që të punonte në ndërtim edhe pse i paralizuar, vetëm që të ishte i dobishëm për familjen dhe të mund të lëvizte.

Cdo ditë për Arbenin është një sfidë ndaj vështirësisë që i krijon gjysma e trupit të tij.  Ai cdo ditë të vitit, për të luftuar paralizën, bën 1 kilometër not pa pushim.

Edhe për menaxherin e pishinës dhe të gjithë që e shohin atje, Arbeni përbën cudi.

“Kur erdhi në fillim kishim frikë se ishte e rrezikshme të notonte. Ka një vullnet të madh dhe ky vullnet i ka dhënë rezultate”, tregon menaxheri I pishinës.
 
Forca e Arbenit është e shtrirë në çdo fushë të jetës.

“Cdo ditë bënte nga një gjë të re. Bën pazarin, llogaritë vetë. Problemi i Arbenit është se ka humbur aftësinë e shkronjëzimit. Por, çdo gjë ai ishte i gatshëm ta bënte”, shprehet bashkëshortja e tij.

Edhe niveli që ka arritur në të folur është vetëm në sajë të forcës së tij të vullnetit. Ai kapi abetaren si në klasën e parë.

Arbeni nuk e konsideron veten invalid. Përkundrazi ai vjen shumë në ndihmë pjesës tjetër të familjes.

“Një ditë më habiti, e gjeta drekën gati. Kishte bërë të gjitha proceset që do bëja edhe unë”, vazhdon më tej Dashamira.

Dashamira tregon se dhe në profesionin e saj nuk i ka rastisur të shohë njerëz me vullnet të tillë: “Në profesionin tonë shoh shumë të sëmurë, por s’kam parë me vullentin e Benit. Ai vazhdon të thotë unë do bëhem mirë, unë do bëhem mirë.”

Optimizmi dhe buzeqeshja s’i kanë lënë vend trishtimit apo ankesave që zakonisht mbizotërojnë natyrën njerëzore.

Arbeni është heroi i ditëve tona. Jo ai me pushkë e me penë, por me forcë e vullnet për të vazhduar përpara pavarësisht se cfarë ka ndodhur. ¼ e trurit të tij vërtet nuk ekziston. Gjysma e trupit të tij vazhdon të jetë e paralizuar edhe pse jo në shkallën e viteve të para pas aksidentit. Por cudia me emrin Arben, qëndron në faktin se ai pothuaj bën të njëjtën jetë si para aksidentit. Vetëm në sajë të vullnetit gjysma e trupit të shëndoshë ka fituar mbi gjysmën tjetër të pajetë.
 
“Me pak forcë çdo gjë kalon”, përfundon Arbeni.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel