Kuvend, kalon nen për nen buxheti 2011

03/12/2010 01:10

Kuvendi miratoi nen për nen pas mesnatës buxhetin për vitin 2011. Në këtë buxhet u përfshinë vetëm dy propozime nga paketa e paraqitur nga deputetët socialistë, Arben Malaj dhe Andis Harasani.

Pas një mbledhje për më shumë se  20 minuta të Komisonit të Ekonomisë, mbledhje kjo e kërkuar nga deputetët Malaj dhe Harasani deputetët e mazhorancës pranuan dy propozimet e dy deputetëve socialistë, atë të rimbursimit të kasave fiskale dhe të kufirit të investimeve buxhetore në 33 përqind, ndërkohë që u rrëzua kërkesa për uljen e defiçitit në 2.5 përqind, që ishte edhe kërkesa kryesore e opozitës.

Refuzimi i kërkesës së parë sipas zotit Harasani sjell rrëzimin e gjithë paketës së propozuar prej tyre, të cilat tha deputeti socialist, nuk cënojnë rritjen ekonomike reale të vendit.

“Propozimet tona nuk cënojnë rritjen ekonomike reale të vendit. Do votojmë kundra nenit të parë që rrëzon gjithë paketën dhe do të largohemi”, tha Harasanaj.

Por kryeministri Berisha këmbënguli se ulja e defiçitit në 2.5 përqind është një kërkesë jorealiste, të cilën e argumentoi me defiçitin mesatar të eurozonës.

“Më duhet të theksoj se kërkesa për të ulur defiçitin në 2.5 përqind është jorealiste, Eurozona në vitin 2000 ka patur mesatare 0.2 përqind në 2009 defiçiti arriti në 6.8 përqind si mesatare, natyrisht 3-4 vende që janë me defiçit të thellë buxhetor patën ndikim të fortë”, deklaroi kryeministri.

Berisha shtoi më tej se praktika e rishqyrtimit të buxhetit në muajin qershor, praktikë kjo e diktuar nga FMN, ndihmon në korigjimin e buxhetit.

Pas kryeministrit foli deputeti Malaj i cili tha se propozimi është më i miri, afatmesëm dhe afatgjatë për çdo qeveri. Zoti Malaj paralajmëroi për krizë financiare në rast se nuk bëhet një politikë e mirë fiskale dhe në rast se nuk merren përgjegjësitë për të.

Menjëherë pas kësaj kryetarja Topalli hapi votimin ku neni i parë për uljen e defiçitit në 2.5 përqind i propozuar nga socialistët u rrëzua nga mazhoranca me 71 vota kundër, 2 pro dhe 1 abstenim.

Më tej seanca vijoi me miratimin e neneve të tjera të buxhetit 2011 dhe miratimi i tij në tërësi që mori 73 vota pro.

Gjatë votimit pati një debat mes Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe Ministrit të Financave Ridvan Bode për financat e 100 punonjësve të policisë.

Në fund Kuvendi miratoi edhe një rezolutë kundër dhunës ndaj grave si dhe kalendarin 3 javor.

Top Channel