Depozitohet në Kuvend shkresa e opozitës

03/12/2010 08:20

Partia Socialiste ka depozituar dje zyrtarisht ofertën e saj për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Hetimi i materialeve zgjedhore dhe heqja dorë nga fletët e votimit është kthyer tanimë në versionin zyrtar të opozitës për sa i përket trajtimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, të mbetura ende si thelbi i axhendës politike.

“Në këtë hetim nuk mund të përfshihen fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Hetimi i këtij komisioni do të bazohet në shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor, me përjashtim të fletëve të votimit”, thuhet në kërkesën e PS e cila ka sugjeruar që Kuvendi të miratojë një vendim të posaçëm për këtë gjë.

Nëse oferta do të pranohet, atëherë një komision parlamentar hetimor do të duhet të ngrihet për të këqyrur përmbajtjen e kutive të materialeve zgjedhore, ku përfshihen listat e zgjedhësve, procesverbalet e komisioneve, si dhe protokollet e mbledhjeve.

Në pikëpamjen politike, hapi i hedhur nga selia rozë konkretizon paralajmërimin e kreut të saj, Edi Rama, i cili që nga mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare ka bërë të ditur tërheqjen përfundimtare nga kërkesa për rivlerësimin e fletëve të votimit.

Më tepër se kaq, depozitimi i draftit në Parlament i jep një përgjigje edhe pretendimit të shumicës dhe Kryeministrit Sali Berisha për një procedim formal nga ana e opozitës në zyrtarizmin e një oferte, e cila përndryshe është konsideruar si propozim politik dhe ende jashtinstitucional.

Top Channel