Shqipja standarde dhe problematikat e saj

01/12/2010 00:15

Gjuha shqipe, standardi i saj, problematikat e tij dhe a ka nevojë ky standard për ndryshime, ishin temat e diskutimit që mblodhi në panelin e Top Show gjuhëtarë e publicistë nga të gjitha trevat shqiptare.

Profesori Emil Lafe, një ndër delegatët e Kongresit të Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe të nëntorit të 1972 mbrojti tezën se standardi aktual nuk është vendosur nën influencën e politikës dhe se ndaj tij nuk duhen ndërmarrë ndryshime radikale të cilat sipas tij do të sillnin pështjellim në sistemin drejtshkrimor.

“Kjo ideja e ndryshimeve më duket si ajo puna e elefantit që futet në një dyqan me kristale, i thyen të tëra dhe i bën copash”, tha Prof. Lafe.

Në fjalën e tij, gjuhëtari, përkthyesi dhe publicisti Edmond Tupja hodhi poshtë tezën e një revoluconi në gjuhësi. Sipas tij gjuha nuk ka revolucion, por vetëm evolucion. Profesor Tupja tha se vetë gjuha është një organizëm i gjallë që aktualisht është duke balancuar toskërishten me gegërishten. Ai solli fjalët “e folme” dhe “me dije” si dy prurje nga gegërishtja në shqipen standarte, të cilat më parë nuk kanë qenë konsumuar mjaftueshëm.

Ndërkohë, kreu i Qendrës për Studime Albanologjike, Ardian Marashi kërkoi mbajtjen e një kongresi kombëtar për gjithë problematikën e gjuhës shqipe, ku ndër temat e shtruara duhet të jetë edhe cështja e standartit të shqipes. Sipas tij ndryshimet janë të nevojshme për problematikën e emrave të huaj, presjes dhe paskajores.

Më herët edhe akademik Kolec Topalli u shpreh se tashmë standardi është një fakt, por shtoi se ka lindur nevoja për rishikimin e tij me synim përmirësimin dhe jo zëvendësimin total.

Top Channel