Edhe pse qeveria ka shpallur zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës dhe situatës kritike që është krijuar në kaskadën e Drinit, ministritë përgjegjëse në komunikimet e tyre me publikun reflektojnë një tjetër situatë.
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës shihen vetëm njoftime mbi aktivitetet e ministrit Ilir Meta dhe asnjë informacion apo njoftim mbi atë se cfarë po ndodh në zonat e përmbytura dhe se si po administrohet situata e rënduar.
Në situata të tilla këto njoftime janë mjaft të dobishme për publikun pasi informojnë qytetarët mbi akset e bllokuara, zonat e rrezikshme për të lëvizur apo dhe masat e tjera mbrojtëse që ata duhet të marrin.
Vec Ministrisë së Energjitikës një tjetër ministri e përfshirë direkt në administrimin e situatave të emergjencës është ajo e Brendshme.
Në faqen zyrtare të saj, jo vetëm që nuk ka asnjë njoftim mbi gjendjen, por në ballë të saj qendrojnë ende akuzat e ministrit Basha për bashkinë e Tiranës mbi cështjen e bllokimit të trafikut në kryeqytet disa ditë më parë.
Edhe Ministria e Transporteve që monitoron akset rrugore ka vetëm informacione për aktivitetet dhe deklaratat politike të ministrit Olldashi.
E njëjta gjë vihet re edhe në Ministrinë e Bujqësisë, institucioni direkt përgjegjës për investimet dhe mirëmbajtjen e argjinaturave.
Vec kësaj neglizhence kaotike, në Shqipëri është bërë modë që në raste emergjencash shpesh titullarët e instituconeve më të rëndësishme që i administrojnë këto emergjenca të ndodhen jashtë vendit.
Edhe pse kaskada e Drinit ka hyrë tashmë në një situatë të rrezikshme, titullari i ministrisë që e menaxhon atë, kreu i Energjitikës Ilir Meta prej dy ditësh nuk ndodhet në Shqipëri, informacion ky i konfirmuar nga vetë zyra e shtypit të zotit Meta.
Ndonëse kjo e fundit nuk ka pranuar të japë detaje se për ku ka udhëtuar ministri, jozyrtarisht mësohet se ai ndodhet në Ceki dhe pritet të kthehet po këtë të mërkurë.
Top Channel