
Është përkujtuar në Vlorë 98 vjetori i pavarësisë. Kjo dite simbolike ka mbledhur në Sheshin e Flamurit qindra qytetarë vlonjatë, ndërsa kanë qenë të shumtë dhe të ardhurit nga Kosova, si dhe nga trevat e tjera shqiptare.
Ceremonia zyrtare e organizuar nga Bashkia e Vlorës ka nisur me homazhet pranë varrit të Ismail Qemalit, ku janë vendosur kurora me lule. Më pas në Sheshin e Flamurit janë bërë nderimet pranë përmendores kushtuar kësaj dite të rëndësishme.
“Me qytetin tonë, në Vlorën e lavdishme është lidhur jo rastësisht ngjarja më e madhe e historisë së popullit tonë, nuk është rastësi gjeografike fakti që qyteti ynë hero dhe i lavdishëm u bë qendra dhe vatra e shpalljes së pavarësisë nga etërit e kombit tonë, nuk është pa kuptim fakti që banorët e këtij qyteti dhe të zonave përreth u bënë bazë kryesore e kësaj dite të madhe në periudhë e historisë që vunë themelet e shtetit modern shqiptar”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Festa në qytet ka nisur më herët nga të rinjtë të cilët me flamuj kanë shëtitur në të gjitha rrugët e qytetit.
Pas përfundimit të cermonisë së nderimit të flamurit, deputetët e djathtë si dhe simpatizantë të të djathtës së Vlorës janë drejtuar për në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, ku dhe atje kanë vendosur kurora dhe buqeta me lule në nder të të rënëve për çlirimin e vendit.
Top Channel