Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh i bindur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Krasniqi deklaroi se pret ngritje të pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje. Lidhur me rolin eventual të EULEX-it në bisedimet me Serbinë, ai tha se për rezultatet e dialogut do të nevojitej një nivel më përcaktues nga ai që e ka EULEX-i në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, tha ndër të tjera se niveli i rregullsisë dhe i qasjeve demokratike ndaj një procesi zgjedhor, varet nga subjektet politike garuese. Në intervistën për Radio Kosovën, Krasniqi bëri të ditur se pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit sigurisht që do të ketë një fazë të re të bisedimeve me Serbinë. “Nuk e di se sa EULEX-i është i përgatitur për t’i mbikëqyrur këto bisedime, pasi EULEX-i është një trupë që ka përgjegjësi në tri fusha”, tha Krasniqi, duke komentuar mundësinë e përfshirjes së EULEX-it në lehtësimin e bisedimeve.

I pyetur nëse ka Kosova kapacitete për të përmbushur standardet ndërkombëtarisht të pranueshme në zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit, Presidenti në detyrë rikujtoi se Kosova, që nga viti 2000 e këtej, disa herë ka mbajtur zgjedhje, të cilat janë konsideruar të mira, të lira dhe pa probleme e ngarkesa, që zakonisht i kanë përcjellë vendet në tranzicion. Në Kosovë, zakonisht ka qenë një rregullsi në zgjedhjet që janë mbajtur. Ai po ashtu shfaqi bindjen se Komisioni Qendror Zgjedhor është mjaftë mirë i përgatitur. Ndërkohë rregullsia, shtoi ai, varet edhe nga dy faktorë tjerë: nga Kodi i Mirësjelljes, që duhet ta respektojnë partitë politike dhe qytetarët që dalin në zgjedhje. Konsideroj që edhe në zgjedhjet që i patëm për Komunën e Rahovecit, u pa që pati një rregullsi të kënaqshme. Niveli i partive politike, por edhe i KQZ-së mendoj se ka qenë mjaft i mirë. Ndoshta dalja e qytetarëve ka mundur të jetë më e madhe, por kjo konsiderohet në kufijtë e normales, krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe të botës. Pra, mund të them se të gjitha këto janë shenja të mira, përfshirë edhe zgjedhjet e kaluara lokale, që Kosova është e përgatitur të mbajë zgjedhje të lira, të rregullta dhe të përgjegjshme. “Kosova, në ditën e votimit, konsideroj se do ta japë një provim të demokracisë në organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira”, u shpreh Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi.

Ai u shpreh i kënaqur që të gjitha subjektet politike e kanë nënshkruar Kodin e Mirësjelljes, me përjashtim të “Vetëvendosjes”, e cila, siç u shpreh ai, ka një qasje ndryshe ndaj politikës dhe proceseve politike në Kosovë.

I pyetur se a pret pjesëmarrje më masive të serbëve në këto zgjedhje, Krasniqi u përgjigj se nëse kemi parasysh numrin e subjekteve politike serbe të regjistruara në KQZ, shihet qartë se do të ketë një numër të shtuar edhe të njerëzve që duan të përfaqësojnë komunitetin serb në institucionet e Republikës së Kosovës, por ka interes të shtuar edhe në vetë qytetarët serbë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, dhe në fund të fundit, për t’u bërë pjesë integruese në institucionet politike, publike dhe në përgjithësi në shoqërinë e Kosovës. Sa i përket dialogut me Beogradin, Presidenti në detyrë i Kosovës, përsëriti se Kosova në asnjë kohë nuk ka qenë kundër dialogut. Procesi i bisedimeve politike, natyrisht, është mbyllur me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Tani, në bazë të Rezolutës së AP të KB, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohen në zgjidhjen e çështjeve që shkojnë në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetesës të qytetarëve edhe të Serbisë edhe të Kosovës. Pala kosovare dhe ajo serbe edhe deri më tani kanë biseduar për disa çështje: të pagjeturit, lëvizjen e qytetarëve, dokumentacionin civil dhe kadastral etj. Në fund të fundit, Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë edhe për interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por edhe për interesat e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Serbi, dhe në këtë mënyrë ne jemi të gatshëm. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 12 dhjetorit, institucionet e Kosovës janë, me konsolidimin e institucioneve të dala prej tyre, që do të ketë një fazë të re të komunikimeve, të zhvillimeve dhe bisedimeve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të Serbisë. “Bisedimet me Serbinë asnjëherë nuk kanë qenë të lehta, por mendoj që është interesi i përbashkët edhe i Serbisë edhe i Kosovës që t’i zhvillojnë këto bisedime edhe për një fakt tjetër – sepse të dyja vendet pretendojnë të jenë pjesë integruese e Bashkimit Europian”, i tha Krasniqi Radio Kosovës.

Top Channel