Trafiku, apokalips në Tiranë

23/11/2010 01:00

Tirana ka përjetuar vërtet një situatë apokaliptike. Përgjatë gjithë pasdites dhe deri në orët e mbrëmjes së hënë, krahas shiut të rrëmbyer, kryeqyteti ka vuajtur edhe trafikun, që paralizoi çdo lëvizje në thuajse të gjitha akset e tij. (UPDATE)

Për më shumë se katër orë i gjithë qyteti ka qenë i paralizuar, duke mos patur mundësi lëvizjeje as edhe në raste emergjencash si autoambulancat apo zjarrfikëset.

Mungesa e rrugëve që devijojnë kalimin në qendrën e kryeqytetit për automjetet që do dalin jashtë Tirane është një arsye e vazhdueshme për rëndimin e trafikut në kryeqytet.

Por ajo e të hënës ishte një situatë vërtet dramatike për mijëra njerëz. Përveç pjesës së qendrës, problematike kanë qenë kryqezimi te Zogu i Zi dhe Don Bosko, segmente të tëra të Unazës, Rruga e Barrikadave, Bulevardi Zogu Parë, kryqezimi i 21 dhjetorit, kryqezimi i rrugës së Elbasanit, pjesa e rrugës pranë shkollës Vasil Shanto.

Punimet në disa segmente rrugore, reshjet e dendura të sheiut, mosfunksionimi i semaforëve në disa kryqëzime dhe bllokimi i rrugëve edhe nga futja kundravajtje e shumë e drejtuesve të shumë makinave, rënduan më tej situatën. ndërkohe që në shumë pika nevralgjike të sistemit rrugor u vërjet edhe mungesa e policisë rrugore.

Ky fakt ka çuar edhe në polemikat politike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht lideri socialist, Edi Rama akuzoi qeverinë për bllokim të qellimshëm të trafikut në kryeqytet, për të fajësuar bashkinë.
“Akuzoj për një orkestrim kriminal Ministrinë e Brendshme, që qytetarët dhe unë, që mu deshën 45 minuta për të lëvizur në bulevard, pamë që nuk kishte policë. Është e pashembullt që Policia e Shtetit të abuzojë në këtë mënyrë për një qëllim makabër, duke tensionuar qytetarët, për të krijuar një peshë faji mbi bashkinë”, ka deklaruar Rama.

Pas Ramës ka reaguar edhe Ministry i Brendshëm Lulzim Basha, që ka akuzuar pikërisht Bashkinë për trafikun.
 
“Shkaqet e kaosit janë të qarta për këdo. Hapja e punimeve pa siguruar alteternatiovë trafiku, bllokimi i qendrës, mungesa e sinjalistikës, lënia pas dore për vite me radhë e infrastrukturës së nëndheshme, e shumë e shumë të tjera. Policia ka patur një mobilizim total, në afro 700 forca për të manaxhuar situatën. Përpjekja e Ramës për t’ia veshur policisë fajin është shenjë paniku e një të paafti që u ikën përgjegjësive të veta duke kërkuar fajtorë për një përgjegjësi që është kryekëput tek vetja dhe për një faj që është vetëm i tij”, tha ministri Basha.

Zyrtarë të Bashkisë thanë se kanë kërkuar bashkëpunimin e policisë por nuk e kanë gjetur atë.

“Tirana nuk ka patur sistem rrugor të rregulluar, i ka patur të gjitha rrugët në një gjendje të mjerueshme dhe kjo situatë trafiku që u paraqit në qytetin e Tiranës nuk ka ndodhur asnjëherë më përpara. Ne kemi dalë dhe kemi monitoruar të gjithë kryqëzimet e qytetit gjatë këtyre orëve dhe në asnjë prej akseve kryesore të kryeqyteti nuk ka patur polic të qarkullimit rrugor. Është hera e parë që të gjithë telefonat nuk na janë përgjigjur për të bashkërenduar punën me qëllim zgjidhjen e problematikës së trafikut. Kjo situatë e krijuar pa shkak dhe pa arsye vjen vetëm nga mungesa e përgjegjësisë e organeve të policisë”, u shpreh Drejtori i Transporteve pranë Bashkisë së Tiranës, Enton Punavia.

Top Channel