NATO-Rusi, bashkëpunim me kushte

21/11/2010 16:10

Presidenti rus Dimitri Medvedev, që mori pjesë për herë të parë në samitin e NATO-s në Lisbonë që pas konfliktit Rusi-Gjeorgji, ra dakord të bashkëpunojë me Aleancën për programin e mbrojtjes kundër raketave balistike, por nuk pranoi ftesën t’i bashkohej këtij sistemi që do ta mbrojë Europën kundër sulmeve të Iranit.

Sekretari i Përgjithshëm, Anders Fog Rasmussen, tha se të dy palët pranuan se nuk paraqesin rrezik për njëri-tjetrin: “Për herë të parë në historinë e NATO-s dhe Rusisë do të bashkëpunojnë për të mbrojtur veten. Rusia duhet ta dijë pa patur asnjë dyshim se sistemi nuk mund të drejtohet kundër saj. Qytetarët europianë do të kenë një siguri më të madhe, të paprecedent.”

Medvedev pranoi të përfshijë specialistë për sistemin dhe paralajmëroi se Rusia do të kundërshtojë përpjekjet që drejtohen nga SHBA nëse nuk ndihet partnere me të drejta të barabarta.

Por, ai vlerësoi se koha e marrëdhënieve të tensionuara është kaluar: “Ky samit NATO-Rusi është një hap shumë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tona dhe një eveniment historik pasi dhe marrëveshjet e reja janë pjesë e historisë botërore.”

Dy çështje kyç për sistemin antiraketë mbetën pa përgjigje: A do të funksionojë dhe si europianët do ta përballojnë?

Për NATO-n kostoja e sistemit do të jetë relativisht e lirë, e ndarë mes 28 vendeve anëtare 200 milionë euro që do paguhen nga secili shtet përgjatë 10 viteve.

Për kritikët, ky çmim nuk është i vogël për Europën që vuan nga kriza e borxhit dhe papunësia.

Top Channel