Ka nga ata që besojnë në Shqipëri se druri ka dalë nga xhehneti. Me ndryshimin e kohërave, supozohej që edhe kjo praktikë që promovon mungesën e forcës bindëse të argumentit duke i lënë vend forcës bindëse të dhunës, do të kishte perënduar. Por në realitet janë vetë fëmijët që tregojnë se janë rrahur për shkak se bëjnë gabime.

Një prind duket shumë i fuqishëm dhe ushtron pushtetin e tij mbi fëmijën nëse ai nuk i bindet. Dhuna tek fëmijët nuk njeh justifikim por arsyet pse prindërit rrahin fëmijët duket po aq banale nga dëshmitë e vetë fëmijëve.

“Kur thyej pjata ose vazo, kur zihem me motrën, më rrahin prindërit”, tregon një nga fëmijët.

Kufiri i ushtrimit të dhunës nga prindërit shkon edhe me dënime të rënda si psh: mbyllja në banjo për orë të tëra.
 
Dhe në fakt duket se prindërit edukojnë fëmijët e tyre me të njëjtën metodë që ata janë rritur vetë. Nëse ai prind është keqtrajtuar në fëmijërinë e tij, po ashtu do të veprojë edhe me pasardhësit e vet.

“Unë nuk kam vënë kurrë dorë mbi fëmijët se as vetë nuk jam rritur me këtë edukatë. Unë them se kjo trashëgohet. Gjithmonë i kam folur fëmijëve që ta kuptojnë pse po i bërtas”, shprehet një grua.

Studimet rreth ketij fenomeni shpjegojnë si arsye të kësaj mënyre të vepruari, stresin e akumuluar të të rriturve në punë, familje apo ekonomi. Por gjithsesi psikologët na tregojnë rrugë të tjera për të bindur fëmijën.

“Disiplina është e domosdoshme për fëmijët, por ka komunikim, nuk arrihet përmes forcës disiplina sepse ky është abuzim”, shprehet psikologia Belinda Coku.

Shumë prindër e justifikojnë veten me shprehjet fetare dhe duket, sikur dalin të mëkatuar nga ky gjest.

“Shumë thonë se druri ka dalë nga xheneti dhe kjo ide vazhdon në zonat rurale edhe sot fatkeqësisht”, vazhdon Coku.

Dhuna emocionale është shumë më e rëndë se edhe ajo fizikja shpjegon psikologia Belinda Coku. Për këtë version shantazhi, nuk është folur shumë por ajo përbën një nga shkaktarët më të mëdha të deformimit të karakterit të njerëzve që në fëmijëri.

“Dhuna emocionale është goxha e rëndë. Kemi diskriminimin, lënien mënjanë, etiketimet fyese, injorimin dhe këto zevendesojne dhunën fizike. Ndodh që të rriturit nuk janë të ndërgjegjshëm që po ushtrojnë dhunë emocionale karshi fëmijëve të tyre”, përfundon psikologia.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel