Në ditën e dytë të “Panairit të Librit” u ndanë çmimet e këtij edicioni. Vlerësimet janë bërë edhe në bazë të anketimeve të zhvilluara nga Shoqata e Botuesve.
“Natyrisht për ne është një moment i veçantë që të nderojmë disa nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, të dalluara jo vetëm në harkun e një viti, por në krijimtarinë e tyre shumëvjeçare në fushat ku kontribuojnë duke dialoguar në mënyrë shumë të suksesshme me publikun”, tha në fjalën e tij kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri.
Autori më i mirë i vitit u shpall Irakli Koçollari me librin “Policia sekrete e Ali Pashës”. Vlerësimi për përkthyesin më të mirë shkoi për Jorgji Qirjako me “Vallja e tim eti” të Nikolas Papandreu. Shkrimtari më i mirë për fëmijë, Bardhyl Xhama me “Tre vëllezërit”. Libri më i mirë studimor, ai i Behar Gjokës për veprën, “Martin Camaj-shkrimtaria e tij”.
Një ndër risitë në këtë edicion të 13-ë të Panairit të Librit ishte çmimi special i tij, i cili iu dha Anastas Angjelit për librin “Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri”.
Panairi do të vazhdojë deri më datë 15 nëntor. Në ditët në vijim do të organizohen aktivitete si ai i forumit të Shoqatës së Botuesve, “Libri, Përkthimi dhe Gjuha”, por edhe prezantime librash dhe takime me shkrimtarë.
Top Channel