Rama: Hetim materialeve zgjedhore

12/11/2010 11:55

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaron se opozita nuk heq dorë nga kërkesa e saj për transparencë të zgjedhjeve, mbetet e hapur për dialog për zgjidhjen e krizës, ndërsa theksoi se protesta më qëllim mbylljen e epokës së zgjedhjeve të grabitura do të vazhdojë.

Në fillim të fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, kreu Rama u kërkoi të pranishmëve që të mbanin një minutë heshtje për 4 fëmijët fatkeqë të Sukthit, duke theksuar se kjo është një dëshmi e atyre familjeve që jetojnë në skamje.

Duke folur për raportin e fundit të Komisionit Evropian, Rama kërkoi nismë mosbesimi për kryetaren e parlamentit dhe kryeministrin e vendit.

“Ndoshta nuk e rrëzojmë qeverinë në kuvendin e votave të vjedhura, por mund të nënvizojmë qartë ndarjen mes atyre që mbrojnë interesat e oborrit të Berishës dhe neve që jetojmë jashtë oborrit dhe jashtë Evropës së bashkuar, për shkak të atij oborri”, tha Rama.

Kryesocialisti theksoi se Shqipëria e humbi shansin historik për të bërë në vitin 2009 zgjedhje të standardeve evropiane, ndaj theksoi se nuk mund të hiqet dorë nga kërkesa për të cliruar zgjedhjet nga fuqia derformuese e procesit.

“Oferten tone te re qeveria e ka ne tavoline, shqiperim i drejtperdrejt i rezolutes se Parlamentit Evropian. Asnjë fjalë nuk ka në tekstin e asaj oferte për fletët e votimit, sepse ne nuk i kërkojmë ato për hetim. Na mjaftojnë kutitë e materialeve zgjedhore në dispozicion të komisionit hetimor. OSBE nuk mund të rrijë të vëzhgojë”, tha Rama.

Kryesocialisti theksoi se zgjedhjet vendore po vijnë, ndërsa qeveria po kërkon të marrë rob bashkitë dhe komunat e opozitës. “Ne na duhen garanci për zgjedhjet e ardhshme, por garancia nuk merret me sundimin e Berishës, i cili refuzon të hapë edhe kutitë e materialeve zgjedhore, kërkesë të cilën e bënë edhe evropianë, si parlamentarja e djathtë evropiane Doris Pack”, tha Rama.

Top Channel