Pensionet suplementare, rritje me 5%

11/11/2010 10:15

Të gjithë ata që përfitojnë pension suplementar dhe janë pjesë e kategorive: ushtarakë të Forcave të Armatosura, punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri e punonjës të Kontrollit të Brendshëm do të marrin 5 për qind më shumë se pagesa aktuale.

“Nga 2 për qind, rritja do të bëhet në 5 për qind”, thuhet në aktin normativ miratuar dje me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo do të thotë se vendimi hyn në fuqi menjëherë e nuk nevojitet diskutimi e miratimi i mëtejshëm në Parlament.

Ndryshimet

Sipas ndryshimeve të miratuara në ligj thuhet se: “Për efekt të llogaritjes së përfitimeve, paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor plus tatimin mbi të ardhurat personale plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga”.

Kështu, paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Paga mesatare referuese neto, është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga.

“Pagat referuese të njësuara, rregullat e llogaritjes së pagës referuese neto dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese neto, për të gjithë karrierën, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në vendim.

Pensioni i parakohshëm

Sipas ndryshimeve në këtë ligj, pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi. Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Shumat e pensioneve të parakohshme, të rillogaritura, kur rezulton shtesë mbi shumat e përfituara më parë, i paguhen përfituesit me këste, sipas përcaktimeve, me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet në buxhetin e vitit përkatës.

Kërkesa për përfitim, sipas përcaktimeve nga personat që e drejta u ka lindur, por nuk është ushtruar, mund të ushtrohet deri më 31.12.2010 dhe përfitimi do të jepet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur.

Top Channel