
Shqipëria pritet të marrë miratimin përfundimtar për heqjen e vizave me Bashkimin Europian në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Brendshëm.
Ky vendim pritet që të hyjë në fuqi në mes të dhjetorit, prej nga do te nise edhe levizja e lire e shqiptareve.
Mbledhja e ministrave të Brendshëm nisi më vonë nga parashikimi dhe pritet që pas pak minutash të jepet edhe njoftimi i shumëpritur për qytetarët e Shqipërisë por edhe për ata të Bosnjës.
Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian pritet të votojnë sot në shumicë pro heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Pas këtij vendimi, i cili do të duhet të botohet më së pari në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Europian dhe publikimi i saj hap mundësinë e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Europë. Megjithatë, vendet e Bashkimit Europian, të cilat bëjnë pjesë në zonën Shengen, kanë marrë siguri nga Komisioni Europian se Brukseli do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën në këto vende, që përfitojnë nga heqja e vizave.
Liria me vizat do të jetë për 3 muaj, më pas për shtetasit që shkelin rregullat do të ketë penalizime. Lëvizja do të jetë për çdo shtet të zonës Shengen, përveç Britanisë dhe Irlandës. Komisioni i BE-së i ka kërkuar Tiranës zyrtare dhe Sarajevës zyrtare t’ua bëjnë të qartë qytetarëve të tyre se udhëtimi pa viza nuk është një biletë për azil ose qëndrim në BE, pas problemeve që u përball Europa me azilkërkuesit e Maqedonisë vitin e kaluar.
Top Channel