Qeveria nuk plotëson kërkesën e NATO-s për buxhetin

08/11/2010 08:00

Shqipëria tashmë ka një telash të ri me NATO-n.

Këtë radhë nuk bëhet fjalë për Shërbimin Sekret që ka qenë kohët e fundit një burim konflikti mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të aleancës, por për buxhetin që Shqipëria po i akordon Ministrisë së Mbrojtjes e cila ka lidhjen e drejtpërdrejtë me NATO-n.

Ndonëse të gjithë përfaqësuesit e lartë të qeverisë shqiptarë janë zotuar se do të plotësojnë direktivën e NATO-s, sipas të cilës një vend anëtar duhet të t’u japë buxhet ministrive të Mbrojtjes 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kjo nuk është realizuar konkretisht.

Kjo direktivë nuk është plotësuar as në projektbuxhetin e vitit 2011, ndonëse nga përfaqësuesit politikë në vend është theksuar se Shqipëria është një nga vendet me rritje më të madhe ekonomike në rajon.

Por mosrealizimi i kësaj direktive nuk ka kaluar pa debate mes kabinetit të Kryeministrit Berisha. Sipas të dhënave aktuale, shifra në buxhetin e shtetit për vitin 2011 nuk është më e madhe se 1.6 për qind e GDP ose Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.

GDP-ja e llogaritur në buxhetin e shtetit është 12 miliardë dollarë.

Me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, një nga direktivat kryesore të aleancës ka qenë edhe modernizimi i Forcave të Armatosura të vendit tonë, në mënyrë që ato të jenë të afta të përballojnë operacionet që zhvillohen kudo në botë. Nisur nga kjo, drejtuesit e aleancës kanë theksuar se është e udhës që çdo vend anëtar i NATO-s, t’i dedikoj Ministrisë së tij të Mbrojtjes, një buxhet i cili kap vlerën e 2%-shit në totalin e Prodhimit të Brendshëm Bruto të një vendi.

Burimet pranë qeverisë bëjnë të ditur se nevoja për përmbushjen e kësaj direktive të NATO-s, ka bërë që mes ministrave të qeverisë “Berisha” të lindin edhe debate. Kjo për shkak se nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave, e cila harton edhe buxhetimin përfundimtar i është kërkuar përmbushja e kësaj direktive, gjë e cila është refuzuar nga ministri Ridvan Bode.

Burimet bëjnë të ditur se refuzimi për sa i përket akordimit të 2% të PBB ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, për vitin 2011, ka ardhur për shkak se për këtë vit janë vendosur objektiva të tjera zhvillimi për vendin.

Kështu si prioritare për zhvillimin e vendit, janë vendosur zhvillimet në infrastrukturë dhe kryesisht në ndërtimin e rrugëve. Nga ana tjetër, përveç infrastrukturës, rëndësi u është vënë edhe reformave në shëndetësi dhe arsim, të cilat konsiderohen si prioritare nga ana e qeverisë shqiptare.

Por për vitin e ardhshëm, një shumë e konsiderueshme të ardhurash pritet të përdoret për procesin zgjedhor lokal, i cili do të mbahet në vend më 8 maj. Nga ana tjetër, ashtu si edhe në të gjitha vitet e tjera të qeverisjes “Berisha”, edhe për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje të pagave dhe pensioneve në vend. Të gjitha këto, prioritete duket se kanë “harruar” NATO-n, anëtarësimi i Shqipërisë në të cilën, është konsideruar si një nga arritjet më të madha të shtetit shqiptar ndër shekuj.

Top Channel