Ballsh, 6 të vdekur nga rrëzimi i autobusit

08/11/2010 21:40

Janë të paktën 6 personat që kanë humbur jetën nga aksidenti i rëndë i ndodhur në Ballsh, ku një autobus ra në një greminë 100 metra të thellë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Shtetit, e cila ka bërë të ditur se forcat e policisë të mbledhura në vendin e ngjarjes kanë arritur të nxjerrin deri tani 20 të mbijetuar.

Sipas zëdhënëses, këta persona kanë marrë plagë të lehta dhe janë dërguar në spital për të marrë mjekimet e duhura.

Sipas burimit, për menaxhimin e situatës është ngritur një grup i posacëm pune, ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë dërguar 100 efektivë të FNSH-së dhe RENEA-s, zjarrëfikës dhe njësi të policisë së Gjirokastrës dhe Fierit.

Burimi shton më tej se autobusi ishte i linjës Tiranë-Athinë, me targë “IGN 9900” dhe drejtohej nga një shtetas greke, Thomas Covas.

Ndërkohë, është bërë i mundur identifikimi i një prej viktimave, shtetasi Alfred Guma, ndërsa po punohet për nxjerrjen e të mbijetuarve të tjerë.

Hetime të mëtejshme pritet të zbardhin me saktësi shkaqet e aksidentit, që nga mbikëqyrjet paraprake ka rezultuar se ka ndodhur për shkak të terrenit të rrëshqitshëm.

Top Channel