Angjeli: Të hiqen vizat për ekonominë

08/11/2010 20:35

Liberalizimi i shumëpritur i vizave vec përfitimeve për ekonominë dhe qytetarët mund të sjellë edhe kosto.

Anastas Angjeli, ish-ministër i Ekonomisë thotë se lëvizja e lirë do të ndryshojë bilancin e hyrje-daljeve të valutës në vend, duke bërë presion në kursin e këmbimit.

“Deri tani ne ishim mësuar të flisnim për remitanca, ndërsa tani duhet të llogarisim edhe fluksin monetar që do dalë nga Shqipëria. Do ketë një sasi të konsiderueshme parash që do kthehen në euro dhe do të shpenzohen jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, do të ketë një destabilizim të lekut përballë euros”, deklaron Angjeli.

Megjithatë, ish-kreu i Ekonomisë thotë se liberalizimi krijon edhe mundësi të reja për ekonominë, sidomos për biznesin.

“Duke qenë më të lirë për të lëvizur në këto vende tregtarët do të kenë përfitime nga zgjerimi i kontakteve për të zhvilluar bizneset në Shqipëri, apo jashtë”, shprehet Angjeli.

Por që ekonomia të marrë të plota përfitimet e lëvizjes së lirë, ish-ministri i Ekonomisë thotë se liberalizimi i vizave për qytetarët duhet të pasohet nga një tjetër liberalizim.

“Tashmë ne kemi nevojë për më shumë lëvizje të kapitaleve, biznesit, që kërkon një ristrukturim të ekonomisë, që ajo të jetë më konkurruese”, shton Angjeli.

Lëvizja e lirë, një nga 4 liritë themelore mbi të cilat u ngrit Bashkimi Europian, shqiptarëve u është mohuar prej gati një shekull, për shkak të izolimit 50 vjecar komunist dhe tranzicionit të stërzgjatur.

Top Channel