Meta: Certifikatat si pasaportat biometrike

07/11/2010 10:15

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë njëkohësisht dhe ministri i Ekonomisë në vend, Ilir Meta, ka vizituar ditën e djeshme qytetin e Beratit ku ka zhvilluar një takim me të gjitha bizneset e vendit, si dhe ka ndarë certifikata për disa biznese.

I shoqëruar nga deputetët e Qarkut të Beratit, Nasip Naço, Lefter Maliqi, si dhe pjesëmarrës të tjerë të forcës politike dhe të pushtetit qendror. Zv.kryeministri Meta ka mbërritur në këtë qytet rreth orës 13:00 të mesditës së djeshme në një prej bizneseve në hyrje të këtij qyteti, ka përgëzuar donatorët e fuqishëm të këtij sektori ku realizohen produktet e standardeve ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, Meta ka pohuar se: “Dua të konfirmoj vullnetin që qeveria ka për të qenë gjithmonë e më pranë dhe në mbështetje të bizneseve tuaja për një konkurrim gjithnjë e më të fuqishëm në tregjet rajonale dhe globale. Është kënaqësi të shoh se projektet e financuara nga Ministria e Ekonomisë nga agjencia e investimeve dhe e zhvillimit po konkretizohet në rritjen e kapaciteteve tuaja, të cilat, tregojnë për më shumë mundësi konkrete lidhur me bashkëpunimin teknik dhe financiar”.

Sipas Metës, përfaqësimi i shoqatës së fasonistëve të Shqipërisë në bordin e agjencisë së investimeve dhe të zhvillimit dëshmon për rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton partneritetit me shoqatën e fasonistëve lidhur me vendimmarrjet e ardhshme. Në lidhje me ekonominë në vend, Meta është shprehur se: “kontributi i industrisë fason është shumë i ndjeshëm për ekonominë tonë, pasi eksportet tuaja drejt tregut europian i kalojnë mbi 200 milionë euro duke dhënë rreth 30 për qind të eksporteve shqiptare, por mbi të gjitha do të theksoja edhe peshën e madhe sociale që mbajnë këto biznese sidomos në drejtim të punësimit të 80 – 90 mijë të grave dhe vajzave shqiptare”.

Sipas tij, programet e trajnimit për ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë tashmë instrumente të gatshm. Tashmë produktet e biznesit janë të shoqëruara me certifikatat ISO. “Certifikatat janë si çështja e pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë që jo vetëm qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Sikurse e pamë, dje festa filloi në Kuçovë, por edhe produktet tuaja njëkohësisht të lëvizin dhe të konkurrojnë në mënyrën më dinjitoze në tregjet europiane suksese dhe mbarësi”, u ka thënë Meta përfaqësuesve të biznesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA