Lista e barnave me rimbursim 2011, e vakët

07/11/2010 08:00

Fillimi i muajit dhjetor do të shënojë përfundimisht kompletimin e propozimeve të reja për listën e re të barnave me rimbursim që do të hyjë në fuqi më 2011.

Konkretisht, muaji nëntor është konceptuar të jetë periudha me më shumë punë për komisionin e hartimit dhe miratimit të listës së barnave me rimbursim. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se për këtë vit nuk priten mrekulli nga lista e barnave.

Ekspertëve do t’u duhet të jenë tepër nikoqirë për të mbajtur balancat mes kategorive që përfitojnë aktualisht dhe ndonjë kategorie që mendohet se do të përfitojë ndonjë ilaç më të shtrenjtë në tregun ndërkombëtar farmaceutik. Po ashtu me fondin e vënë në dispozicion, me shtimin e numrit të personave të sëmurë, por edhe me çmimet e monedhave në tregun e valutës, do të bëjnë që anëtarët e komisionit të hartimit të listës me rimbursim të tregojnë kujdes për të mbajtur një listë të dobishme, që t’u shërbejë kategorive të pacientëve në nevojë e mbi të gjitha për të mos krijuar hatërmbetje.
 
Edhe për këtë vit kategoritë që do të përfitojnë nga lista do të jenë pacientët kronikë me: tension, diabet, sëmundje nervore, mosha e tretë kryesisht, anemia, sëmundjet e gjakut, por edhe pacientët që përdorin hormonet.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, lista e barnave me rimbursim duhet të jetë gati deri në fund të muajit dhjetor. Ky është udhëzimi i vitit të kaluar i ministrit Petrit Vasili, për të bërë të mundur që barnat e reja që rimbursohen për disa kategori pacientësh të përfitohen që nga janari i vitit 2011.

Duke pasur parasysh këtë udhëzim, specialistët e përfshirë në procesin e përzgjedhjes së barnave, hartimit të listës me rimbursim e vendosjes së saj kanë nisur nga puna që në ditët e para të nëntorit.

Puna e parë është negocimi për çmimin e barnave. Një vit më parë, lista e barnave me rimbursim u miratua me vonesë. Kjo për shkak të buxhetit të pakët të shëndetësisë akorduar listës së barnave për vitin 2010, por edhe për shkak të rritjes së vlerës së euros dhe dollarit në tregun e valutës.

Nisur nga rritja e kostos së blerjes së barnave në tregjet ndërkombëtare, grosistët patën debate e diskutime për vendosjen e marzheve të fitimit.
 
Pas gjetjes së gjuhës së përbashkët, grosistët dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ranë dakord të rendisnin alternativat dhe të gjenin një rrugëzgjidhje të mesme. Lista e barnave që u miratua nuk përfshiu barna të shtrenjta apo një gamë të gjerë barnash të reja, duke pasur parasysh fondin dhe problemet.

Kështu, për këtë vit, puna e parë e specialistëve të shëndetësisë është negocimi për çmimin e barnave. Më pas komisioni i shqyrtimit, hartimit dhe miratimit të listës së barnave do të bëjë edhe përzgjedhjet përfundimtare. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Drejtoria e Farmaceutikës, ka nisur të presë të gjitha sugjerimet për shqyrtimin e barnave të reja.

Sugjerimet vijnë nga shërbimet e qendrave shëndetësore, mjekët specialistë, firmat farmaceutike si dhe drejtoritë përgjegjëse me procesin e hartimit të listës së barnave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA