“Architecture Studio”: Piramida duhet ruajtur

07/11/2010 16:30

“Architecture Studio”, studioja franceze që ka hartuar planin rregullues të qendrës së kryeqytetit që e fut përfundimisht Tiranën në hartën europiane të urbanistikës moderne ka kundërshtuar prishjen e piramidës.

Autorja e planit Roueïda Ayache në një intervistë telefonike për Top Channel nga Parisi theksoi se ky vendim është një goditje e fortë që i jepet historisë së qytetit, një histori që sipas saj është marrë parasysh në hartimin e planit rregullues dhe që kërkohej me ngulm edhe nga vetë qytetarët e Tiranës.

“Kur filluam të studionim master planin e qytetit, ne deshëm më parë të mësonim se çfarë mendonte populli mbi të gjitha këto monumente të Tiranës të lëna nga periudha e shkuar. Ne dolëm në përfundimin se ka një lidhje me to, jo sepse këto monumente përfaqësojnë regjimin e shkuar,  por sepse janë të lidhura me memorien e qytetit. Në këtë mënyrë ne konsideruam se këto monumente mund të kishin një jetë të re, që mund të transformoheshin , të përshtateshin duke marrë sinjifikime të reja, dhe që vendimi për t’i prishur nuk mund të diktohej nga dizajni por nga sentimenti popullor në raport me këto monumente, pra nëse populli dëshiron që ato të ruhen ato duhet të ruhen, duke i gjetur një vend të ri në Tiranën e sotme”, tha, Roueïda Ayache.

Pjesë e “Architecture Studio” që në vitin 2001, zonja Ayache tregon se gjatë hartimit të planit janë marrë parasysh edhe eksperienca nga kryeqytete të tjera , siç është në rastin konkret Parisi, symbol sipas saj i ndërthurjes mes modernes dhe historisë.
 
“Për më tepër ne pamë në një qytet si Parisi, monumentet që i përkisnin regjimit të vjetër, si përshembull Luvri që ishte simboli i monarkisë,  të gjitha gjetën një vend në Francën republikane të pas  revolucionit. Ne nuk pendohemi që këto monumente mbeten si memorie të qytetit,  si memorie të ndryshimit. Ja pra ç’ na shtyu që të mos kërkonim prishjen e këtyre monumenteve , duke e lënë jetën e tyre në dorën e popullit shqiptae”, deklaron Roueïda Ayache.

Sipas saj modernizimi i një qyteti nuk do të thotë të shkatërrosh gjithçka përkundrazi duhet gjetur një vijë e përbashkët mes kohëve të ndryshme. Kjo është mënyra mbi të cilën është mbështetur ndërtimi i të gjithë qyteteve apo kryeqyteteve që kanë një histori pas supeve e mirë apo e keqe qoftë.

“Shikoni,  këto monumente janë pjesë e identitetit të qytetit, regjimi më parë prishi gjithçka që ekzistonte nga e shkuara dhe ne mendojmë që bërja sërish e asaj që bëri regjimi i shkuar nuk është simboli më i mirë i modernizimit dhe evoluimit. Duhet ditur se bota kontemporane është të pronësosh të shkuarën, memorien dhe ta shndërrosh, më shumë sesa të thuash do filloj nga zero pa ruajtur asnjë memorie. Jam e sigurtë se piramida mund të gjejë një simbolikë të re dhe të ruajë idenë e historisë dhe metamorfozës së historisë”, tha më tej zonja Ayache.

“Architecture  Studio”, që prej themelimit të saj me 1973 në Paris, është bazuar në projektet që përfshijnë një filozofi kolektive për një arkitekturë kolektive.

Ndër projektet e kësaj firme janë: Ndërtesa e Parlamentit Europian në Strasburg, Instituti Arab në Paris, Shtëpia e Arteve të Bukura dhe Letrave në Athinë, Salla e Ekspozitave në Paris, një hotel në Torino (Itali), Kulla e Zyrave në Zuo Ying (Kinë), masterplani i Qendrës Tregëtare në Shangai (Kinë), Bulevardi në Makkal (Arabi Saudite), masterplani i Fshatit Olimpik Athinë 2004 (Greqi), masterplani i provincës së Milanos (Itali), një projekt masterplani në Casa Blanca (Marok), Pallati e Drejtësisë në Gaza dhe Ramallah (Palestinë), si dhe shumë projekte të tjera.

Veprimtaria e “Architecture Studio” po rritet gjithnjë e më shumë në Europë, Kinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përbëhet nga qindra arkitekte dhe inxhinierë urbanistë me kombësi të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA