Zyrtarisht në fazën e gripit, ISHP: Bëni vaksinat

06/11/2010 08:45

Zyrtarisht ndodhemi në sezoni e gripit, pavarësisht se fluksi i të prekurve nga virusi nuk është i lartë.

Ka qenë vetë drejtori i institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi i cili ka sqaruar se në këtë fazë duhet të nisë vaksinimi e javën e ardhshme në të gjitha shkollat e kopshtet do të nisin inspektimet lidhur me virusin në qarkullim.

Nga ana tjetër autoritet e shëndetësisë apelojnë që të gjithë qytetarët, në veçanti grupet në risk, të bëjnë vaksinën kundër gripit.

Drejtori i shëndetit publik, u shpreh se tashmë jemi në sezonin e virozave, prandaj është e nevojshme që të gjitha grupet e riskut e në veçanti ato pediatrike t’i nështrohen vaksinimit, kundër gripit sezonal.

Përsa i përket situatës epidemiologjike, në vend, sipas drejtorit të ISHP-së, ajo është nën monitorim.

“Rekomandojmë se tani është periudha më e përshtatshme për të filluar vaksinimin me vaksinën ndaj gripit stinor, sidomos moshat pediatrike, siç janë fëmijët deri në moshen 14-15 vjeç”, tha Enver Rroshi, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Tashmë edhe vendi ynë ka një laborator të standardeve europiane, siç është ai i virologjisë, që prej një viti analizon të gjitha llojet e viruseve që qarkullojnë në vend.

Situata epidemiologjike e sëmundjeve infektive në vendin tonë karakterizohet nga mbizotërimi i Sëmundjeve Diarreike në stinën e verës dhe i Infeksioneve Respiratore në stinën e dimrit.

Përsa i përket infeksioneve respiratore, Shqipëria merr pjesë në Rrjetin Evropian të Survejancës së Gripit (EuroFLU) dhe raporton në bazë javore mbi situatën epidemiologjike dhe virologjike.

Aktualisht jemi në stinën e “Gripit” e cila sipas rekomandimeve të OBSH dhe EuroFLU fillon në muajin tetor dhe zgjat deri në muajin maj të vitit pasardhës.

“Ndaj dhe rekomandojmë se tani është periudha më e përshtatshme për të filluar vaksinimin ndaj gripit stinor, sidomos fëmijët, moshat e rritura mbi 65 vjeç si dhe të sëmurët kronike me sëmundje pulmonare, kardiovaskulare. Natyrisht që vaksina nuk është e dëmshme, përkundrazi e këshillueshme për të gjithë grup moshat”, ka theksuar kreu i ISHP-së.

Në spitalin Pediatrik dhe Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si edhe në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive monitorohen nivelet e shtrimit dhe të vizitave në bazë ditore dhe javore.

Theksohet që gjatë sezonit të gripit përforcohet survejanca me monitorimin edhe të institucioneve shkollore dhe parashkollore për mungesa, si edhe qendrat e punës.

Sipas kreut të ISHP-së, Laboratori i Virologjisë në ISHP i ka të gjitha kapacitetet diagnostikuese të rekomanduara nga OBSH.

Top Channel