Mazhoranca, koncert ditën e dorëzimit të opinionit të KE-së

06/11/2010 09:10

Mazhoranca nuk duket se do ta ndjejë shumë përgjigjen negative që është përgatitur nga Komisioni Europian në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.

Kjo sepse në datën 9 nëntor, kur kjo përgjigje pritet të merret, mazhoranca, së bashku me qytetarët, do të jetë duke festuar me rastin e marrjes së të drejtës së shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën “Shengen” të Bashkimit Europian.

Kështu vendimin për liberalizimin e vizave, i cili pritet të merret më 8 nëntor nga ana e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, mazhoranca duket se do ta festojë pasditen e datës 9 nëntor, në një koncert festiv, i cili do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Në këtë koncert, i cili pritet të vijojë edhe pas mesnatës, janë ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët pritet të jenë të shumtë, nisur nga vendimi i rëndësishëm që po pret Shqipëria të marrë në Bruksel.

Vendimi pritet të merret të hënën në mbledhjen e ministrave të BE-së, ndëra hyn në fuqi përpara në datën 15 dhjetor, kohë kjo në të cilën shqiptarët do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në Europë, vetëm me pasaportën e tyre biometrike dhe pa pasur nevojën e një vize të marrë në ambasadë.

Top Channel