
Dje në një shkollë të Rrethit të Elbasanit ka ndodhur një ngjarje e paprecedentë. Mësuesi i fillores, së bashku me nxënësit mbyllet për pesë orë në klasë, vetëm që të mos shprehet në media për kushtet e papërshtatshme në të cilat ndodhet godina e kësaj shkolle.
Edhe ky vit i ri shkollor nuk ka sjellë asnjë ndryshim, sikundër 20 vjet më parë.
Rreth 20 fëmijë të arsimit fillor të shkollës vartëse nga ajo e qendrës në Labinot-Mal mësojnë ende në një stallë kafshësh që ka shërbyer që nga koha e ish-kooperativave bujqësore.
Në fillimin e muajit qershor të këtij viti, “Shqip” ka ngritur shqetësimin e banorëve të fshatit Lamollë.
Gjatë asaj kohe, autoritetet vendore do të premtonin se shtatori i ardhshëm do ta gjente këtë fshat të largët me godinë të re shkollore. Vetë kreu i komunës, Qani Xhafa, pohoi nëpërmjet telefonit se fondet e parashikuara për këtë shkollë kanë qenë të detyruara t’i kalonin për një shkollë tjetër në qendër, duke qenë se situata e saj ishte më emergjente.
Godina shkollore i ngjan një karakatine me mure guri e tavan kompensate, që është gati në të rënë. Nuk bëhet fjalë për kushte bashkëkohore mësimore, por thjesht për një dhomë të vogël mësimore, ku fëmijët e fshatit, të cilët bëjnë nga një orë në këmbë për të shkuar deri atje, kërkojnë me dëshirë të arsimohen.
Tri muaj më parë komuna do të merrte një vendim për të financuar 1,4 milionë lekë për shkollën e re, por as kjo nuk u bë realitet. Nga një fondacion kuvajtian që ndërtoi edhe xhaminë, është marrë një premtim tjetër për të dhuruar 20 milionë dollarë për ndërtimin e godinës së re shkollore me të paktën dy dhoma mësimi. Deri më tani gjithçka ka mbetur pezull.
Ka qenë kjo arsyeja pse mësuesi i fshatit, njëkohësisht kryeplak i asaj zone, Shaban Kasa, është mbyllur dy ditë më parë bashkë me fëmijët për rreth pesë orë, vetëm e vetëm për të mos u prononcuar në media.
Burime konfidenciale nga fshati i largët Lamollë bëjnë të ditur se mësuesi është mbyllur bashkë me nxënësit në klasë, pasi një televizion privat i Elbasanit kishte ardhur për të bërë një kronikë për kushtet e mjerueshme në të cilat mësojnë fëmijët e këtij fshati.
Është bërë një përpjekje për të kontaktuar me telefon, por edhe mësuesi i Lamollës, edhe kreu i komunës, nuk kanë denjuar të përgjigjen për këtë situatë shqetësuese që po përjetojnë fëmijët e kësaj të ashtuquajture “shkollë”.
Top Channel