Kallëzim penal për operatorët e urbanëve

06/11/2010 08:35

Ka mjaftuar vetëm tërheqja e vëmendjes nga Kryeministri i Vendit për të marrë masa ndaj operatorëve të linjave të transportit urban fill pas zgjidhjes së ngërçit të mungesës së aboneve.

Ashtu siç kërkoi kreu i qeverisë, Sali Berisha ministria e transporteve ka marrë masa duke e çuar çështjen deri në kallëzim penal. Ajo që kërkohet tanimë nga bashkia e Tiranës është të marrë përgjegjësitë e veta dhe të zbatojë kompetencat duke penalizuar operatorët e duke i hequr licencat.

Nuk ka mjaftuar vetëm dalja e aboneve në treg për Ministrinë e Transporteve, “presioni” ushtruar ndaj operatorëve mendohet se nuk do të përsërisë më situatën e krijuar për tre ditë me radhë në kryeqytet, ku fatorinot nuk njihnin as dokumentin e personave me aftësi të kufizuar, as dokumentin e veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare e as pajimin mujor, abonetë.
 
Dje Ministria e Punëve Publike dhe Transportit depozitoi dje në prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal, ndaj drejtuesve ligjorë të transportit qytetas.

Arsyet

Shkak për këtë kallëzim penal ishte fakti që këta drejtues, sipas përfaqësuesve të MPPT, penalizuan në mënyrë të padrejtë, qytetarët duke bllokuar shitjen e aboneve edhe për disa kategori të caktuara që përfitojnë lehtësira për shkak të statusit të tyre të veçantë, siç janë invalidët e punës, invalidët e luftës, invalidët paraplegjik dhe tetraplegjik, të verbrit, jetimët, veteranët e luftës, personat me aftësi të kufizuar.

Përfaqësuesit e këtij institucioni theksojnë se edhe pse kjo situatë u zgjidh pas ndërhyrjes së Kryeministrit, ajo që ndodhi, ku rreth 80 mijë përdorues të transportit publik ju mohuan të drejtat në mënyrë të paligjshme nuk mund të kalohet pa u ndëshkuar.

“Për këtë arsye i kërkojmë Bashkisë së Tiranës të penalizojë administrativisht me heqje licence të gjithë operatorët që ndërmorën këtë veprim të paligjshëm, pavarësisht se shumica e operatorëve ishin edhe dasmorë, si dhe të marrë të gjithë masat për liberalizimin e tregut të operatorëve të transportit publik qytetas”, ka sqaruar zyrtarisht ministria e Transporteve.

Mungesa e aboneve

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, përfaqësuese e subjekteve të transportit qytetas të Tiranës, në emër të operatorëve privat, nëpërmjet një deklarate për shtyp njoftuan dy ditë më parë qytetarët e Tiranës dhe kërkuan mirëkuptimin e tyre, ndaj vendimit të saj për bllokimin e përkohshëm (72 orë) të shitjes së aboneve për muajin nëntor.

“Me qenë se, sot jemi bërë me dije se përfaqësues të pushtetit qendror dhe të pushtetit vendor kanë zhvilluar takimin e parë për diskutimin e kërkesave të drejtuara në adresë të këtyre institucioneve, me urimin që ky takim t’i hapë rrugë takimeve të mëtejshme për zgjidhjen e kërkesave tona të ligjshme dhe të drejta, të cilat kanë të bëjnë me dhënien e lehtësive fiskale e të kompensimeve të shpenzimeve për transportin e qytetarëve në nevojë, deklarojmë se, duke filluar nga dita e nesërme, datë 4.11.2010, do të fillojë shpërndarja e aboneve për muajin nëntor”, ka sqaruar shoqata e transportit.

Sipas njoftimit zyrtar pavarësisht këtij vendimi, përpjekjet e operatorëve për realizimin e kërkesave do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke inicuar kontakte me institucionet përgjegjëse, qendrore dhe vendore.

Top Channel