Bulqizë, spitali vuan mungesën e ujit

06/11/2010 09:00

Duket se problemet për spitalin e Bulqizës nuk kanë të sosur. Kështu, krahas problemit të mungesës së mjekëve specialistë, ku pacientët nuk mund të marrin shërbimin e kualifikuar mjekësor, një tjetër problem për këtë spital vazhdon të mbetet edhe ai i mungesës së ujit 24 orë pa ndërprerje.

Mjekët e këtij spitali thonë për “Shqip” se një dukuri e tillë e ka vështirësuar mjaft punën, veçanërisht në drejtim të plotësimit të kushteve higjieno-sanitare.

Gjithashtu mjekët ankohen se ndjehen në vështirësi për ujë edhe në raste emergjencash kirurgjikale, si dhe në morgun e spitalit.

Ndërkohë, burime nga ky spital pohojnë për “Shqip” se në vazhdimësi problemi i furnizimit me ujë pa ndërprerje 24 orë ka qenë problem.

Jemi ankuar në Drejtorinë e Ujësjellësit Bulqizë, por ende nuk kemi gjetur zgjidhje.

Madje në një shkresë zyrtare të marrë gjatë muajve të verës nga Drejtoria e Ujësjellësit jemi njoftuar për orarin e furnizimit me ujë, ku dhe porositemi prej tyre për të marrë masa për sigurim depozitash, për të krijuar rezerva uji në raste emergjente.

Kështu, sipas këtij orari, spitali ka ujë vetëm 12 orë në 24. Po kështu edhe specialistë të laboratorit të analizave mjekësore pranë këtij spitali pohojnë se janë vënë në vështirësi në punën e tyre për shkak të mungesës së ujit të rrjedhshëm.

Kërkesat tona pranë Drejtorisë së Ujësjellësit, pohojnë drejtuesit e këtij spitali, deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje, pasi sipas kësaj drejtorie, kapacitetet ujore janë të tilla që nuk mundësojnë furnizimin me ujë pa ndërprerje 24 orë rresht.

Por, ndërkohë kjo ndodh edhe tani në muajin e fundit të vjeshtës, kur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, prurjet e burimeve të ujit kanë njohur nivele maksimale.

Top Channel