Boboshtica, Omonia: Nuk dëmtuam varret

06/11/2010 20:05

Organizata Omonia në Korcë ka dalë me një reagim zyrtar për herë të parë pas publikimit të skandalit të varrezave të Boboshticës.

Kreu i Omonias në Korcë, Naum Disho ka pranuar publikisht se janë kryer punime, të cilat kanë nisur rreth një muaj më parë, por ai ka hedhur poshtë akuzat për dhunimin e varrezës së fshatit.

Disho është shprehur në deklaratë se janë kryer punime për pastrimin e parcelës dhe për ndërtimin e platformës dhe të një rrugice betoni, por sipas tij gjatë ndërtimit nuk janë kryer gërmime.

Kreu i Omonias ka mohuar edhe ekzistencën e eshtrave duke e quajtur këtë një produkt të medias dhe individëve tendenciozë.

“Para 1 muaji janë kryer punime në 3 parcela, për një platformë dhe një rrugicë që kalon mes tyre dhe nuk është bërë asnjë dhunim. Ato lajme janë sajime të individëve tendenciozë. Ne kemi respektuar ndjenjat humanitare”, ka deklaruar Disho.

Reagimi i Omonias nuk ka lënë jashtë vëmendjes djegien e kurorave të vendosura në nderim të ushtarëve grekë. Omonia ka shprehur indinjatën për këtë akt, duke e cilësuar si veprim të qëllimtë që cënon marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Organizata Omonia dega Korcë dënon djegien e kurorave të ushtarëve greke. Këto janë veprime që dëmtojnë marrëdhëniet e mira shqiptaro-greke. I ftoj të gjithë për më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim”, ka shtuar Disho.

Kryetari i Omonias nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me dhunimin e varrezës, lejen për ndërtimin e memorialit dhe se nga kush është mbështetur investimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA