
Partia Socialiste bën përgjegjëse Partinë Demokratike si pengesë për zgjidhjen e krizës në vend. Sipas deputetes Valentina Leskaj, në mbledhjen e sotme të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim Asociimit , deputetët demokratë treguan mungesë vullneti per rrugëzgjidhje.
Në një konferencë për media, Leskaj theksoi se mazhoranca tregoi mosdëshirë për të gjetur zgjidhjen, duke refuzuar edhe propozimin e eurodeputetes Doris Pack, kur dihet që ajo është mbështetëse e së djathtës shqiptare.
“Zonja Pack propozoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe amendimin për hetimin e kutive të materialeve zgjedhore. Ky amendament u mbështet nga të gjithë deputetët e delegacionit të PE-së dhe deputetët e Partisë Socialiste, por nuk u pranua nga ata demokratë, të cilët nuk dhanë argumenta të qënësishme lidhur me veprimin e tyre”, tha Leskaj.
Sipas saj, PS kishte negociuar prej kohësh për të arritur në një deklaratë përfundimtare për daljen nga kriza, por ishte PD ajo që refuzoi amendamentin e Pack.
Ndërkohë Fatos Beja i PD-së, tha se ata votuan deklaratën, por e rrëzoi PS-ja.
“Ajo që është më e rëndësishme është që të miratoheshin ato që ramë në konsensus dhe zoti Kukan i hodhi ato në votim, ndërsa PS refuzoi të votonte ato që ne ramë dakord. Kjo nuk i shërben vendit dhe është i njëjti qëndrim që u mbajt edhe në maj”, është shprehur Beja.
Top Channel