Qeveria nuk ul borxhin

05/11/2010 14:55

Përkundër zotimeve se do të stabilizojë financat publike, qeveria ka vendosur të mos e ulë borxhin publik as vitin e ardhshëm.

Sipas relacionit zyrtar të projektbuxhetit, borxhi i Shqipërisë do qëndrojë në nivelin 59 për qind e produktit të brendshëm bruto edhe në vitin 2011.

Pas mbarimit të zgjedhjeve vitin e kaluar,  qeveria u zotua para Fondit Monetar se do e ule borxhin publik në 54 për qind deri në fund të mandatit të saj. Por edhe pse viti 2011 përkon me gjysmën e mandatit, në dy vjet borxhi mbetet thuajse i pandryshueshëm në kufijtë ekstrem të tij. Dhe llogaritë e buxhetit bazohen mbi parashikimet optimiste të Ministrisë së Financave, pasi FMN jep një version tjetër, sipas të cilit borxhi publik jo vetëm që nuk do të ulet vitin e ardhshëm por do vazhdojë të rritet edhe më duke tentuar shifrën 62 për qind e GDP.

Shqipëria është një nga vendet me borxhin publik më të lartë në rajon, i kosnideruar nga FMN si një rrezik madhor. Misioni i fundit i kërkoi qeverisë të mos e rrisë deficitin më shumë se 2.5 për qind, por në buxhet huamarrja e re për vitin 2011 është vendosur të jetë sa 3.5 për qind e PBB-së. Borxhi i lartë ka filluar të bëhet barrë e rëndë për buxhetin. Fatura e interesave do rritet sërish vitin e ardhshëm në 47.8 miliardë lekë, ose 3.6 për qind e Produktit Kombëtar nga 3.5 që ishte këtë vit.

Në 2011, qeveria do shpenzojë për interesat e borxhit 13.5 për qind të totalit të të ardhurave buxhetore,  nga 13 që është shifra për këtë vit. Një nivel kaq të lartë sot në europë e ka vetëm Greqia. FMN e ka parlajmëruar qeverinë se nëse nuk do e ul borxhin publik ekonomia mund të paguajë kosto të larta, aq më tepër që tashmë vendi është në tregjet financiare të kapitalit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA