Kuçovë, Berisha premton investime

05/11/2010 20:05

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot paradite në përurimin e përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme “Myrteza Kepi” në Kuçovë, një investim me vlerë 40 milionë lekë.

Shkolla ofron ambiente moderne të mësimdhënies e pajisur me kabinet biologjie, kabinet gjeografie, me dy kabinete informatike, bibliotekë dhe mjedise sportive.

Por ngjarja për qytetin e Kuçovës, ishte një rast për kryeministrin Berisha për të folur për heqjen e vizave, si një përgjigje e merituar, sipas tij, që Europa i bën reformave të qeverisë.

Kryeministri u zotua përpara banorëve se së shpejti do të përfundojë rruga Kozarë-Fier-Shegan dhe se qeveria do të ndërtojë rrugën Kozarë-Kuçovë, një segment kryesor i “Boshtit të jugut”.

Po ashtu, sipas kryeministrit, brenda viti 2011 do të fillojë segmenti përfundimtar i “Boshtit të jugut”, segmenti Berat-Tepelenë.

“Sikundër brenda këtij viti – tha kryeministri – do të fillojë edhe ndërtimi i segmentit të ri Tiranë-Elbasan”.

Top Channel