Financimi i universiteteve

05/11/2010 16:25

Në gjithë vendin numërohen 50 universitete publike e private, të cilat në gjysmën e vitit të ardhshëm do të listohen sipas cilësisë së tyre.

Por a është i mjaftueshëm ky projekt për të vendosur standardet në sistemin universitar shqiptar?

Rektorati i Universitetit të Tiranës, ka saktësuar se është domosdoshmëri përfundimi i proçesit të akreditimit, i cili mund të çojë në mbylljen e shumë universiteteve private që nuk përmbushin kushtet.

“Është një proçes i cili merr në konsideratë të gjitha elementët e një universiteti, qoftë nga mënyra se si zhvillohet mësimi, didaktika që përdoret, aftësitë që kanë pedagogët. Gjithçka shikohet në mënyrë integrale. Ndërsa rankimi është një proçes shumë sipërfaqësor, i cili nuk mundet që të paraqesë çfarë realisht një universitet ofron. Nëse ne bëjmë akreditim në Shqipëri, një pjesë e konsiderueshme e universiteteve që sot janë liçencuar, nuk mund të jenë më operues në treg, ose duhet të ndryshojnë në mënyrë drastike, ose duhet të mbyllen përfundimisht”, është shprehur Ervin Demo, drejtor i Departamentit të Komunikimit në Rektorat.

Ministri i Arsimit ka deklaruar se pas përfundimit të listimit të universiteteve do të nisë edhe reforma për financimim e të gjitha universiteteve me fondet publike, sipas një projekti të qeverisë.

Por kjo nismë është kundërshtuar nga të gjithë këshillat e fakulteteve publike.

“Edhe reforma financiare në të njëjtën llogjik ka një tendencë për të ndihmuar institucione që realisht kanë ose nuk plotësojnë standardet. Të gjitha prononcimet e çdo fakulteti janë kundër skemës së financimit”, tha Demo.

Në buxhetin e vitit 2011 parashikohet që fondet për arsimin universitar të jenë rreth 6 miliardë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA