Fier, Shkolla e Bashkuar “mbytet” nga plehrat

05/11/2010 08:50

Gjendje skandaloze paraqet Shkolla e Mesme e Bashkuar në fshatin Kafaraj të Komunës Frakullë në Rrethin e Fierit.

Mbeturinat dhe sasira të mëdha me inerte ndodhen jo vetëm në oborrin e shkollës, por edhe në brendësi të banjave të saj.

Plehrat nuk kanë zënë vetëm qoshet dhe skutat, por edhe sheshin kryesor, si dhe një pjesë të territorit të brendshëm.

E sikur të mos mjaftonte me kaq, në këtë shkollë ku mësojnë mbi 500 nxënës mungon edhe uji. Kjo është një mangësi më shumë për shkollën, që evidentohet nga punonjësja sanitare e këtij institucioni.

Mësohet se janë vetë nxënësit ata që e frekuentojnë këtë shkollë dhe që e pastrojnë atë jo vetëm në mjediset e klasave, por dhe te korridoret e shkollës.

“Në shkollën tonë ka probleme për sa i përket ujit dhe banjat janë në gjendje skandaloze për mungesë të ujit dhe të pastrueses. Ne vetë përpiqemi për ta pastruar ambientin ku kalojmë gjysmën e ditës. Pastrojmë klasat, korridoret dhe në disa raste edhe oborrin, por e kemi të pamundur të pastrojmë edhe banjat”, tha Valentina Velo, nxënëse.

“Problemi për shkollën tonë lidhet me mbeturinat dhe ndotjen që ato shkaktojnë. Jemi në rrezik nga një mungesë totale e higjienës dhe e kushteve që lidhen me të”, tha Alberti, një tjetër nxënës.

Nxënësit dhe mësuesit apelojnë dhe thonë se ndihen të rrezikuar nga shfaqja e ndonjë sëmundjeje.

Top Channel