Buxheti, goditet Topi, favorizohet Topalli

05/11/2010 08:25

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të ketë më pak fonde në dispozicion për vitin 2011.

Referuar të dhënave mbi buxhetin e shtetit, Presidenca do të ketë në dispozicion rreth 168 milionë lekë, ose rreth 24 për qind më pak.

Ndryshe është vepruar me Kuvendin e Shqipërisë, të cilit i janë akorduar nga qeveria 1 miliard e 322 milionë lekë, ose rreth 40 për qind më shumë se në vitin 2010.

Vetëm për zërin investime, Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, i janë vënë në dispozicion rreth 550 milionë lekë, gati 75 për qind më shumë nga sa kishte marrë për këtë vit.

Diferenca e lartë lidhet me projektin e ndërtimit të ambienteve të reja për Kuvendin, që planifikohet të ngrihet te Piramida.

Duke qëndruar tek investimet, Presidencës i janë akorduar vetëm 15 milionë lekë, që krahasuar me buxhetin e këtij viti konsiderohen rreth 78 për qind më pak.

Pavarësisht planit të Kuvendit për të ndërtuar ambientet e reja te Piramida, për të cilën qeveria i vendos në buxhet rreth 5 milionë dollarë, kur ende nuk dihet kostoja finale dhe projekti, për Presidencën shikohet qartë nga vitet e ndryshme se ka një rënie të shpenzimeve.

Në korrik të këtij viti, me vendim qeverie, Presidentit Topi i shkurtuan nga buxheti vjetor rreth 22 milionë lekë, të parashikuara për dieta dhe udhëtime.

Sakaq, buxheti i Kryeministrisë mbetet pak a shumë i njëllojtë, me një diferencë të vogël. Kabineti i Berishës do të ketë në dispozicion rreth 340 milionë lekësh, ose 3 për qind më pak se viti 2010.

Top Channel