“Lironi shqiptarin, nuk është pedofil”

05/11/2010 08:40

Shoqata e emigrantëve shqiptarë, “Iliria”, e mbështetur edhe nga banorë të Orikumit me pankarta në gjuhën italiane, kanë protestuar përpara Ambasadës Italiane në Tiranë, për lirimin e shqiptarit Nexhip Qepja, i cili akuzohet për pedofili me djalin e tij 4-vjeçar.

Vlonjatë, njerëz të afërt, emigrantë, por edhe qytetarë nga Tirana, që janë njoftuar nga shoqata, protestuan dje para ambasadës me shpresën se dikush do t’i presë e do të bëjë ndërmjetësim për të nxjerrë një orë e më parë nga burgu shqiptarin që gëzonte djalin, të vetmin trashëgimtar të mbiemrit në një familje me dy fëmijë vajza.

Nexhip Qepja u kallëzua nga edukatorja e kopshtit të vogëlushit për abuzim ndaj të birit. I ati i të akuzuarit nga drejtësia italiane për pedofili, bën apel për lirimin e të birit.

“Ne nuk e njohim atë që akuzohet djali im, as me Kanun, as me zakon, as me fshat, as me krahinë e as me ligj qeverie. Atëherë iu lutëm shtetit italian të më nxirrte djalin nga burgu, se ka për të ushqyer fëmijët”, shprehet babai i emigrantit.

Nexhip Qepja qëndron në qeli prej më shumë se dy muajsh. Kjo është protesta e gjashtë e zhvilluar nga shoqata e emigrantëve shqiptarë “Iliria” që ka planifikuar një tjetër protestë pas dy ditësh në Rexho Emilia dhe një tjetër në Milano.

Shoqata e Emigrantëve në Itali dhe familjarë të Nexhip Qepjes kanë protestuar para ambasadës italiane në Tiranë, për lirimin e shqiptarit në Reggio Emilia.

Top Channel