Prifti: Korrupsion në nivele të larta të politikës

04/11/2010 22:45

Në vijim të fjalës së tij në “Top Story” deputeti Dritan Prifti e cilësoi korrupsionin në Shqipëri një fenomen që ka dalë jashtë kontrollit dhe që ka përfshirë edhe nivelet e larta të politikës.

Zotit Prifti tha se është ndër të vetmit politikanë që ka marrë guximin dhe ka deklaruar pasurinë e tij në mënyrë transparente. Por kjo sipas tij dekurajon shoqërinë shqiptare dhe politikën pasi sipas tij, pas sulmeve të ashpra të opozitës ndaj tij, shumë politikanë do të fshehin pasurinë e tyre reale.

“Korrupsioni tek ne quhet zotësi dhe është i shtrirë edhe në nivele të larta politike. Në qeveri dhe nivele të larta unë jam ndër të vetmit që kam marrë guximin dhe kam bërë një deklaratë transparente të pasurisë. Shumë nga kolegët me thanë mua ça ke bërë?! Mënyrat e goditjes nga opozita nxisin të tjerët që të mos deklarojnë pasuritë. Rasti im është dekujarues për Shqipërinë dhe për politikanët e tjerë”, tha Prifti.

Më tej deputeti i qarkut të Fierit u shpreh se politika ka hartuar ligjin në mënyrë të tillë që të mos zbulohet. Ai e cilësoi gjobën prej 30 mijë lekësh ndaj shkelësve si anormale dhe tha se shkelësit duhet të ndiqen penalisht.

“Ligjet janë bërë që të mos zbulohet askush, në mënyrë të tillë që të mos zbulohet asnjë politikan. Kemi persona të tjerë që kanë lidhje të ngushtë me politikanë dhe marrin 30 mijë lekë gjobë dhe nuk ndiqen penalisht”, u shpreh deputeti Prifti.

Zoti Prifti e cilësoi vendin tonë si ndër të vetmit në botë ku deputeti nuk ka të drejtë të merret me asnjë aktivitet tjetër, përveçse aktivitetit të tij politik. Kjo sipas tij bëhet për të patur ligjvënësit nën varësi dhe kontroll të plotë.

“Deputeti nuk ka të drejtë të merret me asnjë aktivitet ekonomik, jemi ndër rastet e vetme në botë. Në parlament futen persona që me një rrogë të jenë nën kontroll. Nga vetë ligjet që kanë nxjerrë politikanët detyrohen të fshehin pasuritë dhe të bëjnë një aktivitet tjetër me emër tjetër. Drejtësia çdo ditë e më shumë bëhet politike, presidenti çon dekretet të cilat varen nga vullneti i mazhorancës. Nuk duhe të jetë koncepti që gjyqtari duhet të jetë ushtar”, deklaroi Prifti.

Në përfundim të fjalës së tij, ish-Ministri i METE-s u shpreh se politika nuk ka vullnetin e duhur dhe dëshirë për t’u kontrolluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA