Përkeqësohet klima e biznesit

04/11/2010 16:30

Raporti i fundit i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2011”, vëren se reformat për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, gjate ketij viti jane ndalur.

Raporti i cili mbulon periudhën qershor 2009-maj 2010 thotë se Shqipëria ka bërë vetëm një reformë për të përmirësuar klimën e biznesit, e cila ka të bëjë me disa lehtësime në procedurat e pagesës së taksave.

Për rrjedhojë vendi jo vetëm që nuk e ka përmirësuar pozicionin e tij në rendiitjen e përgjithshme, por e ka përkeqësuar atë duke zbritur nje vend me poshte ne renditje, krahasuar me vitin e kaluar.

Shqipëria klasifikohet nga banka botërore si vendi i 82 më interesant për të bërë biznes në listën e 183 ekonomive botërore. Sipas Bankës Boterore, Shqipëria ka avantazhe në procedurat e thjeshtuara dhe kohën e shkurtër të regjistrimit të bizneseve, aksesin në kredi dhe mbrojtjen që u ofron investitorëve.

Por problematike mbeten mbyllja e bizneseve, për të cilat banka e rendit shqipërinë në vendin e fundit në listën e 183 ekonomive botërore. Dy pengesa të tjera për biznesin sipas bankës janë,  pagesat e komplikuara të taksave dhe lejet e ndërtimit, për të cilat Shqipëria renditet respektivisht në vendin e 149 dhe atë të 170 në botë.  

Në rastin e pagesës së taksave, bizneseve në shqipëri u duhet të harxhojnë më shumë se 360 orë në vit për të mbyllur procedurat me autoritetet tatimore. Ndërsa me lejet e ndërtimit, në Shqipëri një biznesi i duhen 331 ditë për të siguruar një leje dhe për këtë duhet të paguajë një cmim që është sa 3.8 herë e të ardhurave mesatare për frymë.

Top Channel