Lalla: Si hetuam Ramën, Priftin e Tartarin

04/11/2010 21:30

Kryeinspektori i ILDKP-së, Adriatik Llalla ka deklaruar se verifikimet e pasurive të zyrtarëve publikë dhe personave të tjerë të përfolur është bërë në bazë të shortit të hedhur muaj më parë.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Llalla ka bërë të ditur se verifikimet për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për ish-ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti dhe për shtetasit Arjan Tartari dhe Rasim Hamzaraj janë bërë në bazë të informacioneve të marra në rrugë ligjore.

“Rastet ishin nën hetim dhe kaluan në proces kontrolli për shkak të përzgjedhjes nga shorti në muajin prill dhe për shkak të informacioneve të marra nga media dhe burime të tjera të ligjshme. Shkelësit janë bërë të njohur për publikun në media”, ka pohuar Llalla.

Kryeinspektori ka nënvizuar se institucioni i drejtuar prej tij po verifikon edhe pasuritë e personave të tjera, madje duke dërguar edhe disa dosje në institucionin e akuzës.

“Prej nesh janë dërguar në prokurori dosjet për 4 zyrtarë të administratës shtetërore, ndërsa ndaj 4 të tjerëve janë vendosur ndëshkime të parashikuara me ligj. Në institucionin tonë, is politikanët edhe nënpunësit, nuk kanë diferencë, të gjithë janë të barabartë për subjektin deklarues”, ka saktësuar Llalla, i cili ka sqaruar edhe verifikimin e kryer mbi ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili u gjobit me 300 mijë lekë nga ILDKP.

“Në rastin e subjektit Prifti, lidhur me pasurinë e bashkëshortes së tij dhe me emërimin e shtetasit Rasim Hamzaraj, kemi marrë masat e parashikuara. Ne kemi kryer gjithë verifikimet lidhur me këtë rast, ashtu sic kemi kryer verifikime edhe për cdo rast tjetër dhe kemi nxjerrë konkluzione të bazuara në prova”, ka saktësuar Llalla.

Sipas tij, në rastet e zyrtarëve të dyshuar vështirësia e ILDKP-së në verifikim qëndron në faktin se ata e fshehin pasurinë në emër të personave të tjerë të lidhur me ta.

Për këtë cështje, ka saktësuar, Llalla, ky institucion ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të ndëshkuar edhe personat që bashkëpunojnë në fshehjen e pasurisë.

“Në rastet e zyrtarëve vështirësia është kur pasuria e zyrtarëve fshihet nga persona të lidhur me subjektin deklarues. Kjo sjell vështirësi sepse ligji aktual nuk parashikon penalitet për personat e lidhur me zyrtarët. Për këtë cështje ne kemi ndërmarrë një nismë që të parashikohet ndëshkimi edhe për personat e lidhur, me qëllim që ata të deklarojnë pasurinë e tyre kur kemi dyshime se zyrtarët e fshehin pasurinë në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar Llalla.

Duke theksuar se institucioni i drejtuar prej tij nuk ka pasur asnjë presion politik ose mediatik, Llalla ka shtuar se ILDKP ka dërguar në Kuvend propozime për ndryshime në Kodin Penal.

“Në fund të muajit dhjetor ne do të publikojmë një raport mbi verifikimet e bëra mbi 18 zyrtarë të niveleve të ndryshme, mes të cilëve edhe presidenti i Republikës. Ndërkohë, kemi dërguar në Kuvend propozimet për ndryshimet në Kodin Penal dhe shpresojmë që deputetët të miratojnë amendamentet e duhura”, ka shtuar Llalla.

Top Channel