Në historinë e sportit shqiptar ai është njeriu që për herë të parë e bëri Shqipërinë pretendente për të shkuar në finalet e një kampionati botëror. Shyqyri Rreli, “Mjeshtri i Madh i Sportit”, ish-trajneri i kombëtares shqiptare, do mbahet mend gjatë për fitoret e tij ndër vite.

Por ne do e risjellim sot për “Pasdite në Top Channel”, për të na kujtuar një fitore që s’ka të bëjë me kupa apo medalje. E megjithatë ka të bëjë me sportin. Pasi pikërisht në vitin 1988, gjatë qëndrimit në Londër për ndeshjen e kuqezinjve me luanët e atdheut të futbollit, profesori i shquar bëhet papritur fitues i një llotarie prej gati 2 milionë stërlinash.

“Ishte një moment kur ne shkuam të luajmë ndeshjen për eleminatoret e kampionatit botëror dhe atje na erdhi kryetari i shoqatës ‘Shqipëri-Angli’ na dha një kafe dhe dy paketa cigare. I mora ato, brenda kësaj pakete cigareje kishte qenë llotaria”, thotë Shyqyriu.

Profesori nuk e pi duhanin dhe kjo bëri që paketat të qëndronin të pahapura për shumë ditë, derisa në shtëpinë e tij erdhi një mikeshë që zbuloi dhe fitoren e llotarisë. Rifoni Rreli, bashkëshortja e profesorit na tregon momentin kur mori vesh për fitoren e llotarisë.

“Erdhi zonja për vizitë dhe unë për respekt i dhashë edhe një cigare.Pamë brenda që ishte një letër. Nuk donim asgjë për llotarinë. Ishte një copë letër me vizime dhe numra”, tregon Rifonija.

Zonja Rifoni është e vetmja që e ka prekur me dorë llotarinë në familjen Rreli, pasi mikesha e familjes u largua nga shtëpia duke vjedhur dhe llotarinë. Bashkëshortja e trajnerit të shquar, kujton me pezmatim atë moment dhe habinë që e pushtoi të nesërmen kur kuptoi se në të gjithë Tiranën gëlonte lajmi i llotarisë.

“Unë shkova në punë. Atje më thotë një shoqja ime për ngjarjen. Të gjitha e dinin që na kishte rënë llotaria dhe ne nuk dinim asgjë”, thotë Rifonija.

Ndërkohë, profesor Shyqyriu ende s’e kishte marrë vesh lajmin, pasi ndodhej në ndeshje. Por gjithsesi pak kishte mbetur për t’u bërë. Bileta e llotarisë ishte dorëzuar në bankën e shtetit, lajmi kishte shkuar në instancat e larta dhe tashmë çdo gjë kishte marrë një rrugë që profesori e ndjente se ishte pa kthim.

“Na informuan persona me reputacion në ato vite dhe na thanë për ngjarjen. Ata na thane se kjo llotari ju takon juve, por nuk pata interes t’i futesha më thellë sepse atëherë ishte e rrezikshme. Se kush i mori paratë nuk jam në gjendje ta them”, shprehet Shyqyriu.

Profesori tregon se varianti përfundimtar i destinacionit të llotarisë mbeti ai i skadimit të afatit, por e vërteta ende s’dihet.

“Kjo mbeti si një ëndërr që kur zgjohesh nuk ke gjë në dorë”, pohon Shyqyriu.

Por ky është vetëm një fragment kurioz që diskutohet herë pas here me humor edhe sot pas 22 vitesh jo vetëm ne familjen Rreli, por dhe në ambientin shoqëror. Ai është përmendur kalimithi dhe në librin kushtuar jetës dhe veprës së tij që u botua vetëm pak ditë më parë kur mjeshtrit iu dha dhe Medalja e Mirënjohjes nga i madhi Mishel Platini.

“Thuhet se jeta është llotari, por unë jam mbështetur në llotaritë, por tek puna”, thekson Shyqyriu.

Dhe në fakt punën Shyqyri Rreli e ka filluar që në moshën 12 vjeçare kur nisi të punonte si çirak në një dyqan këpucësh. Edhe tani, që ka kaluar të 80-at, ai vazhdon të kontribuojë në forma të ndryshme për sportin dhe për Tiranën.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel