Vizat, Shqipëria në provë

03/11/2010 20:05

Në rast të një vendimi pozitiv në 8 nëntor, Shqipëria do të vihet në provë, fillimisht për 6 muaj, mbi respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga liberalizimi i vizave.

Duke marrë shkas nga dyndjet e azilkërkuesve prej Serbisë e Maqedonisë në Europë, Komisioni u ka propozuar me shkrim vendeve anëtare masat e Mekanizmit Monitorues që pritet të hyjë në fuqi edhe për vendet e tjera të Ballkanit, vetëm pas vendimit për Shqipërinë dhe Bosnjen.

“Një strukturë urgjence këshillimore do të vendoset me qëllim që Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare  të mund të reagojnë, në kushtet më të mira, në lidhje me autoritetet e këtyre vendeve, nëse vështirësi të vecanta paraqiten me fluksin e njerëzve që vinjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në dokument.

Ky dokument, që është diskutuar sot edhe në Këshillin e Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk përfshin vetëm masat e mbikëqyrjes në rast të dyndjeve për azil nga shqiptarët e boshnjakët, njësoj si për vendet e tjera, por parashikon edhe monitorimin e të gjitha atyre hallkave të dobta të sistemit, për të cilat disa vende anëtare janë ende skeptikë bazuar në raportet e ekspertëve që u publikuan pak kohë më parë dhe nga TCH.

“Për këtë, Komisioni intensifikon përpjekjet për ngritjen e një mekanizmi mbikëqyrës që do të përfshijë kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, zbatimin efikas të marrëveshjeve të riatdhesimit dhe menaxhimin e flukseve të migrimit mes BE-së dhe vendeve në fjalë”, thuhet në dokument.

Për të garantuar një mbikëqyrje të rregullt e sa më efikase, Komisioni propozon përfshirjen e analizës mbi respektimin ose jo të detyrimeve në cdo raport vjetor progresi, e jo vetëm kaq.

Sipas draftit, kjo cështje do të kthehet në një temë diskutimi me objekt të vazhdueshëm mbikëqyrjeje edhe në mbledhjet e përvitshme të Komitetetit për Cështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, strukturë kjo e ngritur pas hyrjes në fuqi të MSA-së me BE-në.

E përvec këtyre, Komisioni shton se raporti i parë nga vetë strukturat e këtij institucioni do t’i dorëzohet Këshillit dhe Parlamentit 6 muaj pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen.

“Në këtë kuadër, Komisioni do të bëjë rregullisht raporte në Këshill dhe Parlamentin Europian. Për herë të parë 6 muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores për vizat, duke u mbështetur mbi rezultatin e punës së ekspertëve të Komisionit dhe vendeve anëtare, mbi atë të delegacioneve të BE-së dhe mbi informacionet e rëndësishme që do mund të paraqesin vendet europiane”.

E me gjithë këto masa shtrënguese me objekt mbikëqyrjen e rreptë, jo të gjitha vendet anëtare kanë mbetur të kënaqura.

Në mbledhjen e sotme të ambasadorëve, burime diplomatike rrëfyen për TCH se Holanda i ka kërkuar Komisionit të shtojë masa të tjera, edhe më konkrete, gjë që ka bërë që të mos arrihet konsensus për këtë projekt të propozuar nga Komisioni.

Njësoj si vendimi për heqjen e vizave, ashtu si dhe për datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, edhe drafti i Mekanizmit Monitorues nga Komisioni, i është lënë për shqyrtim ministrave të Brendshëm europianë më 8 nëntor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA