
Inspektorati Shtetëror i Punës ka gjobitur mbi 400 subjekte që nga muaji janar i këtij viti, për mosrespektim të kushteve të sigurisë për shëndetin e punonjësve.
Krahasuar me një vit më parë, numri i gjobave ndaj subjekteve, si dhe inspektimet janë rritur, por aksidentet në punë vazhdojnë të mbeten ende një problem shqetësues.
Ky fakt konfirmohet nga shifrat zyrtare të bëra publike nga ky institucion. Konkretisht mësohet se deri në shtator numri i aksidenteve në punë shkon deri në 83, prej të cilëve 21 janë me vdekje.
“Ka një rënie të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë kundrejt 85 aksidenteve për vitin 2009, 25 prej të cilave ishin me vdekje”, tha Vikrita Çuto, kryeinspektore e ISHP-së.
Një problem tjetër që mbetet shqetësues për vendin tonë është edhe puna informale e fëmijëve, që duhet eliminuar në mënyrë imediate. Gjatë 9-mujorit të parë të 2010-s, Inspektorati Shtetëror i Punës ka evidentuar rreth 297 fëmijë të moshës nën 18 vjeç të punësuar, të cilët janë pajisur me lejet përkatëse nga vetë inspektorati.
Top Channel